Sulmet izraelite vrasin së paku 50 palestinezë në Gazë
Bombardimet ajrore të ushtrisë izraelite i kanë lënë të vdekur së paku 50 palestinezë përgjatë Rripit të Gazës, teksa forcat izraelite kanë intensifikuar fushatën për të marrë kontrollin përreth Jabalias në veri të enklavës, më 15.10.2024, ka raportuar Reuters. Bëhet e ditur se në këtë rajon po zhvillohen luftime të ashpra ndërmjet forcave izraelite dhe militantëve të “Hamasit”.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se së paku 17 persona janë vrarë prej forcave izraelite afër Al-Faloujas në Jabaliua, më i madhi prej tetë kampeve të refugjatëve në Gazë, derisa dhjetë të tjerë janë vrarë në Bani Suhalia në Khan Younisin lindor kur forcat izraelite ndërmorën një sulm raketor mbi një shtëpi.
Më herët gjatë të martës, një aksioni bombardues izraelit shkatërroi tri shtëpi në lagjen Sabra në Qytetin e Gazës, dhe shërbimi lokal i emergjencës ka njoftuar se dy trupa janë nxjerrë prej zonës së qëlluar. Po vazhdon njëherësh operacioni për kërkimin e 12 personave të tjerë, që besohet se ndodheshin në shtëpi në momentin e sulmeve.
Tetë persona të tjerë janë vrarë kur një shtëpi u qëllua në kampin Nuseirat në Gazën qendrore. Më vonë gjatë ditës, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se një mjek është vrarë derisa po mundohej t’u ofronte ndihmë personave të plagosur në sulmet izraelite në Jabalia.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë dënuar sulmet e fundit izraelite, duke akuzuar Izraelin se po mundohet të krijojë një ndarje të tërësishme ndërmjet Gazës Veriore dhe pjesës tjetër të Rripit të Gazës. Gjatë dhjetë ditëve të fundit janë kryer operacione të shumta izraelite. Banorët vendas kanë thënë se Izraeli ka shkatërruar shumë shtëpi. Izraeli edhe të martën ka thënë se ka sulmuar militantët dhe operativët terroristë në këto zona, të cilët po fshihen nëpër vendbanime civile.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com