Gaza, Foto: Pixabay. Ilustrim

Sulmet izraelite vrasin 66 palestinezë në Gazë

Një sulm izraelit la të vrarë të paktën 30 palestinezë dhe plagosi 50 të tjerë, të cilët ishin strehuar në një zyrë postare në Rripin qendror të Gazës – duke e çuar numrin e të vdekurve të enjten në enklavë në 66 – ka raportuar Reuters.

Pa asnjë shenjë armëpushimi në konfliktin 14-mujor, sulmi goditi një objekt postar në kampin Nuseirat, ku familjet e zhvendosura po strehoheshin dhe gjithashtu dëmtoi disa shtëpi aty pranë – thanë mjekët për Reuters.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Nuseirat është një nga tetë kampet historike të Rripit të Gazës, të ndërtuar fillimisht për refugjatët palestinezë nga Lufta e vitit 1948, pas krijimit të Izraelit. Sot, është pjesë e një zone të dendur urbane, të mbushur me njerëz të zhvendosur nga e gjithë enklava.

Më herët të enjten, dy sulme izraelite në Gazën jugore vranë 13 palestinezë, për të cilët mjekët e Gazës dhe ‘Hamasi’ thanë se ishin pjesë e një force, që mbron kamionët e ndihmave humanitare. Ushtria izraelite njoftoi se ata ishin militantë të ‘Hamasit’, të cilët përpiqeshin të rrëmbenin dërgesën.

Shumë prej të vrarëve në sulmet në Rafah dhe Khan Younis kishin lidhje me ‘Hamasin’ – sipas burimeve pranë grupit.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se dy sulmet ajrore synonin të siguronin shpërndarjen e sigurt të ndihmave humanitare dhe akuzoi anëtarët e ‘Hamasit’ – për planifikimin për të parandaluar, që ndihma të arrijë civilët e Gazës.

Në deklaratën njoftohet se anëtarët e ‘Hamasit’ synonin të rrëmbenin ndihmën “në mbështetje të aktivitetit të vazhdueshëm terrorist”.

Bandat e armatosura kanë rrëmbyer vazhdimisht kamionë me ndihma dhe ‘Hamasi’ ka formuar një grup pune – për t’u përballur me ta. Forcat e udhëhequra nga ‘Hamasi’ kanë vrarë shumë anëtarë të bandave në muajt e fundit – kanë theksuar burime dhe mjekë të ‘Hamasit’.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com