Sulmet izraelite vranë 35 palestinezë - njofton Agjencia Palestineze e Lajmeve

Të paktën 35 palestinezë janë vrarë herët, të enjten, nga bombardimet izraelite në zona të ndryshme në Rripin e Gazës – njoftoi Agjencia Palestineze e Lajmeve WAFA – raporton Reuters.

Fëmijë e gra kishte në mesin e shtatë të vrarëve kur u bombardua një ndërtesë banimi në rrugën “Al-Jalaa” në Gazë – njoftoi WAFA. 15 të tjerë u vranë gjatë bombardimit të një shtëpie, ku njerëzit e zhvendosur po strehoheshin, në perëndim të kampit Nuseirat në Rripin qendror të Gazës – shtoi Agjencia.

Në zonën perëndimore të qytetit Rafah, në jug të Rripit të Gazës, 13 palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën – sipas WAFA-s – në një sulm që goditi njerëzit teksa po ofronin ndihma.

Më parë, mjekët njoftuan se të paktën 30 persona u plagosën në sulmin në Rafah – me disa prej tyre në gjendje kritike.

Në qytetin e afërt Khan Younis, një grup tjetër burrash përgjegjës për sigurinë e ndihmave, u godit nga një sulm ajror i ndarë izraelit që plagosi disa prej tyre.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Ndërkohë, bandat e armatosura kanë plaçkitur vazhdimisht kamionë me ndihma menjëherë pasi futen në enklavë – duke bërë që grupi islamik “Hamas” të formojë një grup, për t’u përballur me to. Forcat e udhëhequra nga “Hamas” kanë vrarë shumë anëtarë të bandave muajt e fundit – kanë theksuar burimet e mjekët e “Hamasit”.

“Hamasi” ka theksuar se sulmet ushtarake izraelite kanë vrarë të paktën 700 policë të ngarkuar me sigurimin e kamionëve me ndihma në Gaza – që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023.

Përpjekjet mujore të armëpushimit nga ndërmjetësit arabë, Egjipti dhe Katari – të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara – nuk kanë arritur të përfundojnë me marrëveshje midis dy palëve ndërluftuese.

Të mërkurën, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese Kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar e të përhershëm midis Izraelit dhe militantëve palestinezë “Hamas” në Rripin e Gazës dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com