Sulmet izraelite lënë 40 të vdekur në zonën humanitare, thotë Hamasi

Së paku 40 persona kanë mbetur të vdekur në Gazën jugore dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur prej sulmeve ajrore izraelite në një zonë të sigurt humanitare, ka bërë të ditur Mbrojtja Civile e udhëhequr prej Hamasit, raporton BBC.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se bombardimet ajrore kishin për cak një qendër operacionesh në Khan Younis, që u përkiste luftëtarëve të Hamasit, dhe se ka ndërmarrë hapa për ta kufizuar rrezikun e dëmeve në mesin e civilëve.

Vendasit kanë thënë se tri sulme ajrore shënjestruan tendat e personave të zhvendosur në zonën humanitare Al-Mavasi, në perëndim të qytetit Khan Younis, duke shkaktuar kratere të thella deri në shtatë metra.

“40 persona janë vrarë dhe më shumë se 60 të tjerë janë lënduar, përderisa shumë të tjerë janë ende nën rrënoja”, ka deklaruar shefi i operacionit të autoritetit të Mbrojtjes Civile të Hamasit.

Dëshmitarët kanë thënë se shpërthime të mëdha kanë dridhur rrethinë e Al-Mavasit menjëherë pas mesnate dhe flakët janë parë duke u ngritur në qiell.

Khaled Mahmoud, vullnetar vendas i një organizate bamirëse afër zonës së sulmeve, ka treguar se ai dhe vullnetarët e tjerë kanë vrapuar për të ofruar ndihmë por janë tmerruar prej përmasave të pasojave të sulmit.

“Sulmet kanë krijuar tri kratere prej shtatë metrash thellësi dhe kanë varrosur më shumë se 20 tenda”, ka thënë ai.

Në pamje të paverifikuara janë parë civilët duke gërmuar me duar rërën në përpjekje për të shpëtuar palestinezët nga një vrimë e thellë e shkaktuar nga bombardimet ajrore.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë se me sulmet janë qëlluar “terroristët e njohur të Hamasit, të cilët po operonin brenda një qendre komande dhe kontrolli brenda zonës humanitare në Khan Younis”.

Hamasi në anën tjetër i ka hedhur poshtë pretendimet izraelite që në rrethinë kishte luftëtarë, duke konsideruar si gënjeshtër të radhës të ushtrisë së Izraelit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com