Sulme vdekjeprurëse kundër forcave të sigurisë në Afganistan

Së paku 16 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Afganistanit u vranë të hënën nga sulmet e dyshuara të talibanëve.

Ministria e Mbrojtjes tha se një kamion i mbushur me eksplozivë shpërtheu pranë një kolone të ushtrisë në provincën Maidan Vardak, duke lënë të vrarë së paku tetë ushtarë.

Ministria tha se nëntë ushtarë të tjerë u plagosën në këtë sulm.

Përgjegjësinë për të nuk e ka marrë ende asnjë grup, por militantët talibanë dhe ata të grupit Shteti Islamik janë fajësuar në të kaluarën për sulme të ngjashme.

Disa orë më herët, një zyrtar afgan tha se së paku tetë pjesëtarë të sigurimit të qeverisë janë vrarë në një sulm të talibanëve në veri të Afganistanit.

Esmatullah Moradi, zëdhënës i guvernatorit të provincës Kunduz, tha se militantët talibanë kanë sulmuar dy pika të kontrollit të sigurisë.

Moradi tha se pesë oficerë të policisë dhe tre ushtarë të qeverisë janë vrarë në përleshjet që kanë zgjatur disa orë.

Talibanët nuk i kanë komentuar sulmet.

Ata vazhdojnë të organizojnë sulme në gjithë Afganistanin, edhe pse kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare të paqes me Shtetet e Bashkuara, në muajin shkurt./REL