Sulm me thikë/ Foto: Deutche Welle

Sulm me thikë në një universitet në Gjermani, plagosen katër persona

Katër persona janë plagosur pasi një person i ka sulmuar me thikë në kampusin e një universiteti në Hamm, qytet në perëndim të Gjermanisë.

Sipas Deutche Welle, mësohet se studentët e kanë mposhtur sulmuesin.

I dyshuari ishte kapur nga studentët në një sallë të ligjëratave, të cilët e kishin mbajtur deri sa kishte mbërritur Policia. I dyshuari është një 34 vjeçar, ka njoftuar një zëdhënës i Policisë.

Sipas autoriteteve, një prej viktimave kishte marrë lëndime serioze dhe ishte dërguar në spital me helikopter.

Nuk është akoma e qartë nëse sulmuesi është apo ka qenë student në universitet. Ende nuk dihen motivet e sulmit.

Sipas raporteve fillestare, i dyshuari kishte hyrë në objektin universitar rreth orës 15:30 dhe ka sulmuar njerëzit në korridore. Më pas ai ka shkuar në një sallë të madhe të ligjëratave ku edhe u kap.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara Hamm-Lippstadt është hapur që nga viti 2009. Ai ka 5600 studentë në dy kampuse në Hamm dhe Lippstadt, të dyja në Gjermaninë perëndimore. Kampusi në Hamm ndodhet në lindje të qytetit.