Foto: Ilustrim
Sulm me eksploziv në një bankë në Ferizaj, reagon Shoqata e Bankave
Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar pas sulmit me eksploziv në një bankë komerciale në Ferizaj, mëngjesin e sotëm.
Në këtë komunikatë thuhet se këto sulme kanë për qëllim fuqizimin e grupeve kriminale në Kosovë dhe rrënimin e rendit dhe ligjit.
“Zona ku është realizuar sulmi është zonë rezidenciale ku përveç dëmeve të shkaktuara ndaj bankës dhe bizneseve përreth janë shqetësuar edhe banorët e asaj lagje si dhe është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve në atë rrugë pasi që shpërthimi ka qenë i përmasave mjaftë të mëdha”, thuhet në komunikatë.
Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve të rendit dhe të sigurisë që të ndërmarrin masat e nevojshme që të indetifikohen të dyshuarit dhe të sjellen para drejtësisë.
“Shoqata e Bankave të Kosovës po ashtu bën të ditur se bankat kanë ndërmarrë një sërë masash për të rritur sigurinë dhe rrjedhimisht mundësia për këto grupe kriminale për të përfituar nga këto sulme është minimale. Megjithatë, mundësia për të shkaktuar dëme materiale te bizneset dhe për të rrezikuar jetë njerëzish mbetet mjaft e lartë”, thuhet në fund të komunikatës.