Sulm kibernetik në web-faqet e komunave të Kosovës

Web-faqet e të gjitha komunave të Kosovës kanë pësuar sulm kibernetik dhe që nga dita e djeshme janë jashtë funksionit.

Këto web-faqe  menaxhohen nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) dhe mirëmbahen nga kompania private ‘Cactus’.

Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun të MAPL-së, Yll Valla, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se sulmi kibernetik ka ndodhur ditën e djeshme dhe se është duke u punuar që web-faqet të futen në funksion.

“Janë disa si lloj sulmesh që kanë ndodhë brenda sistemit, është një lloj sulmi kibernetik dhe ka ndiku negativisht në performancë dhe funksionalitet. Kështu që tash janë duke u marrë ekipet e mirëmbajtjes dhe besoj që shumë shpejt kanë me i funksionalizu”, ka thënë Valla në përgjigjen e tij.

Ai ka thënë se deri më tash ende nuk dihet se kush e ka kryer këtë sulm kibernetik, ndërsa ka treguar me sulme kibernetike përballen pothuajse çdo ditë.

“Ka kështu që ndodhin në baza ditore dhe i evitojmë, domethënë ndodh ndonjëherë që ndonjë është pak më i vështirë dhe më vështirë i menaxhueshëm, por besoj që shumë shpejt kanë me i zgjidh. Besojmë që deri në mbrëmje besoj që do t’i kemi në funksion, është një punë intesive prej ditës së djeshme”, ka deklaruar Valla.

Kjo është hera e dytë që brenda 10 ditëve, web-faqet e komunave të Kosovës bien nga sistemi.

Edhe të hënën e 18 nëntorit, web-faqet e disa komunave kishin rënë nga sistemi, mirëpo atë ditë Yll Valla për KALLXO.com  kishte thënë që arsyeja ishte sepse ishte bërë një ‘rifreskim’ i sistemit.

Web-faqet vazhdojnë për momentin të jenë jashtë funksionit.

Bien nga sistemi web-faqet e komunave të Kosovës (FOTO)