Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.
Sulm kibernetik në Telekomin e Kosovës
Telekomi i Kosovës ka qenë cak i sulmeve kibernetike gjatë ditës së sotme, sulm ky i cili ka filluar që nga ora 8 e mëngjesit.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Fadil Lepaja nga Zyra për Komunikim në Telekomin e Kosovës.
Lepaja ka thënë se ekipet e Telekomit, i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe janë duke u marrë me parandalimin e sulmit.
“Telekomi i Kosovës sot është duke u ballafaquar me sulme kibernetike. Sulmi ka filluar në orën 8 të mëngjesit. Ekipet tona i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe janë duke u marrë intensivisht me parandalimin përfundimtar të sulmit. Do të ju mbajmë të informuar”- ka thënë Lepaja.
Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.
“Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Nga Qeveria kanë thënë se të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.
“Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës” – thuhet më tutje në njoftim.
Përveç faqeve zyrtare, cak i sulmeve kibernetike kanë qenë edhe faqet e disa mediave në Kosovë.