Sulm i armatosur në Jerusalemin Lindor, pesë të vdekur

Pesë persona u vranë dhe pesë u plagosën kur një person i armatosur hapi zjarr pranë një sinagoge në Jerusalemin Lindor, në mbrëmjen e 27 janarit, tha policia izraelite dhe shërbimet e urgjencës, raporton AP-ja.

Sulmi u ndal kur sulmuesi u qëllua nga policia.

Shërbimi i shpëtimit i Izraelit MADA konfirmoi për pesë të vdekur dhe tha se pesë persona u plagosën, duke përfshirë një grua 70-vjeçare, e cila është në gjendje kritike, si dhe një djalë 14-vjeçar, në gjendje të rëndë.

Policia tha se sulmuesi palestinez ishte “neutralizuar”, term ky që zakonisht nënkupton se ai është vrarë, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, raporton AP-ja.

Të shtënat në lagjen hebraike Neve Ya’akov pasuan sulmin vdekjeprurës nga ushtria izraelite një ditë më parë, më 26 janar, në Bregun Perëndimor të pushtuar, në të cilin u vranë nëntë palestinezë, ndërkaq i dhjetë u vra më vonë në veri të Jerusalemit.

Çfarë ndodhi gjatë ditës?

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Galant sinjalizoi më 27 janar se ushtria do të ndalonte sulmet ajrore nëse grupet militante palestineze ndalonin sulmet me raketa.

Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëroi ushtrinë të përgatitet për sulme të reja në Rripin e Gazës “nëse do të jetë e nevojshme”.

Bombardimet pasuan një sulm izraelit në pikën qendrore të kampit të refugjatëve Jenin, i cili u shndërrua në një betejë me armë, ku u vranë të paktën shtatë militantë dhe një grua 61-vjeçare.

Bastisja në kampin e refugjatëve përshkallëzoi në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjeti u vra në përleshje diku tjetër.

Përshkallëzimi i konfliktit izraelit-palestinez prej dekadash, paraqet sprovë për qeverinë e re të ekstremit të djathtë, të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila mori detyrën me premtimin për të mbajtur qëndrim të ashpër, mes tensioneve të rritura me palestinezët.

Bastisja nga forcat izraelite nxiti gjithashtu Autoritetin Palestinez t’i jepte fund koordinimit të sigurisë me Izraelin dhe shkaktoi “shqetësimin e thellë” të Departamentit të Shtetit, vetëm disa ditë përpara vizitës së paralajmëruar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në rajon./REL