Foto: Policia e Kosovës

Suharekë, u nis i armatosur drejt ambulantës për ta sulmuar një person, arrestohet i dyshuari

Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se i armatosur është nisur në drejtim të ambulantës së fshatit për ta sulmuar një person.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në fshatin Studençan të Suharekës.

Polica ka njoftuar se e ka lokalizuar të dyshuarin menjëherë pasi ka marrë informacionin nga një ankuese, e cila ka thënë se i dyshuari është nisur për të sulmuar vëllanë e saj.

Sipas PK-së, gjatë bastisjes së automjetit, në bagazh është gjetur një pushkë gjysmë-automatikë, ndërsa në xhepat e të dyshuarit janë gjetur katër fishekë.

“Pasi që është informuar prokurori me urdhër të tij, të njëjtit i është bastisur edhe shtëpia. Në shtëpi i janë gjetur 13 fishekë dhe 8 krehër të fishekëve” – thuhet në njoftim.

Arma, municioni dhe provat e tjera janë sekuestruar e i dyshuari me urdhër të prokurori është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti po trajtohet si armëmbajtje pa leje.