Suharekë, gruaja tregon në Polici se burri ka ushtruar dhunë ndaj saj në vazhdimësi

Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin 24-orësh se janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Njëri prej tyre ka ndodhur më 13 korrik në Skenderaj ku një grua  ka informuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Lidhur me këtë, PK-ja ka njoftuar se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, me 14 korrik në Ferizaj është arrestuar një burrë pasi që sipas policisë ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe kishte sulmuar fizikisht motrën e bashkëshortes.

“Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” është thënë në njoftimin e PK-së.

Një tjetër person është arrestuar në Suharekë pasi gruaja e tij ka raportuar se ai është duke ushtruar dhunë ndaj saj në vazhdimësi.

Sipas policisë, i dyshuari është paraqitur në stacion, dhe gjatë intervistimit ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës-bashkëshortes. I dyshuari me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rast i ngjashëm ka ndodhur në Vushtrri ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt” ka bërë tutje të ditur PK-ja.

Ndërkaq, në Prizren njësitet policore në konsultim me prokurorin kanë ndaluar për gjashtë orë një burrë i cili në gjendje të dehur është duke shkaktuar probleme në familjen e tij.

Policia tutje ka njoftuar se me vendim të prokurorit, i dyshuari pas këndelljes është liruar kurse rasti vazhdon në procedurë të rregullt.