Ilustrim

Suharekë, arrestohen të dyshuarit për grabitjen nën kërcënimin e thikës

Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me hetuesit e stacionit policor në Suharekë, pas një pune operativo-hetimore dhe në bazë të informatave të mbledhura nga terreni, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për rastin e grabitjes që ka ndodhur më 29 janar 2021 në Sopijë të Suharekës.

Në këtë rast të dyshuarit, sipas njoftimit të Policisë, nën kërcënimin e thikës i kanë marrë viktimës portofolin në të cilin i kishte rreth 87 euro dhe dy telefona mobilë.

Gjatë grabitjes të dyshuarit e kanë lënduar viktimën në regjionin e gjoksit me thikë dhe të njëjtit ishin larguar.

I dyshuari A.Q. i lindur në vitin 2005 (i mitur), dhe V.K., i lindur në vitin 1998, janë arrestuar sot.

Të dyshimtit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Siç njofton Policia e Rajonit të Prizrenit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit të mitur i caktohet masa e ndalimit prej 24 orësh, kurse të dyshuarit tjetër i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.

Me rastin po merren hetimet rajonale të policisë në Prizren.