Vendi ku ka ndodhur ngjarja tragjike në Suharekë - FOTO: KALLXO.com

Suharekë, 19 vjeçari nga pakujdesia dyshohet se vrau veten me armën e babait të tij

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së enjtes në Suharekë, ku një 19 vjeçar nga pakujdesia dyshohet se ka vrarë veten me armën e babait të tij, zyrtar policor i Policisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se dyshohet se viktima e rastit me inicialet E. K. data e lindjes 2004, në banesën e tij gjatë manipulimit me armë zjarri, e njëjta i ka shkrepur dhe për pasojë i janë shkaktuar lëndime trupore.

Ekipi i emergjencës ka transportuar viktimën në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe nga ana e mjekut kujdestar është konfirmuar vdekja e tij.

Policia ka thënë se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se i përket babait të viktimës, zyrtar policor i cili gjendej jashtë detyrës zyrtare.

“Lidhur me rastin njoftohet Prokurori i Shtetit dhe IPK (Inspektorati Policor i Kosovës)  të cilët kanë dalur në vendin e ngjarjes, dhe bashkë me zyrtarë të Sektorit Rajonal të Hetimeve të DRP-se të Prizrenit vazhdojnë hetimin e rastit të cilësuar si ‘Vdekje e Dyshimtë” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.