Sudan, tre burra dënohen me amputim të dorës për vjedhje

Tre burra sudanezë janë dënuar me amputim të dorës për vjedhje, hera e parë në pothuajse një dekadë që një dënim i tillë është dhënë në gjykatat e Sudanit.

Tre burrat rreth të 20-tave u dënuan për vjedhjen e bombolave të gazit në Omdurman, qyteti më i populluar i Sudanit, i cili ndodhet përtej lumit Nil nga kryeqyteti, Khartoum.

Ky vendim u dha dy javë më parë, por vetëm tani është bërë publik, në një rast që do të shqetësojë më tej shumë njerëz që kanë frikë se Sudani po rrëshqet përsëri në ekstremizëm shtetëror, 15 muaj pas grushtshtetit që e destabilizoi vendin dhe ndaloi tranzicionin e tij drejt demokracisë.

Burrat u dënuan gjithashtu me tri vjet burg për keqbërje dhe gjobë me para si kompensim për vjedhjen.

Burrat e dënuar janë dërguar në burgun e Koperit në veri të Khartoum-it, ku dënimi do të kryhet në një datë të pacaktuar. Burgu aktualisht mban ish-presidentin Omar al-Bashir, i cili u rrëzua në vitin 2019 pas një kryengritjeje publike, dhe ndihmësit e tij.

Përmes një deklarate, Qendra Afrikane për Studime të Drejtësisë dhe Paqes, një organizatë e të drejtave që vepron nga Ugandë, i akuzoi autoritetet sudaneze se nuk u ofruan tre burrave një gjykim të drejtë. Kjo qendër thotë se gjykimi ishte zhvilluar “pa përfaqësim ligjor, [me] dështimin e gjykatës për t’i shpjeguar të akuzuarit peshën dhe dënimin e veprave dhe mbështetjen e gjykatës në rrëfimet si prova e vetme për të dënuar të akuzuarin”.

Sudani është qeverisur nga ligjet islamike që nga shtatori i vitit 1983. Këto ligje nuk u aplikuan për tri vjet nën qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Sadiq al-Mahdi dhe u rivendosën nga Bashir kur ai erdhi në pushtet në një grushtshteti të mbështetur nga islamistët në vitin1989.

Kur Bashir u rrëzua në vitin 2019, u futën disa ligje progresive, të tilla si kriminalizimi i gjymtimit gjenital të femrave dhe heqja e fshikullimit. Sidoqoftë, grushti ushtarak i tetorit të vitit 2021 i dha fund një tranzicioni dy-vjeçar drejt demokracisë dhe disa ligje jopopullore dhe regresive për rendin publik janë rivendosur./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi Shala