Arbërie Nagavci
Subvencionimi i blerjes së librave, Nagavci: Nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se deri më tani numri i aplikuesve për subvencionim për libra dhe mjete mësimore në platformën e-Kosova ka shkuar në 121,200.
Sipas ministres Nagavci, nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar për t’u subvencionuar për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore. Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve” – ka shkruar ministrja Nagavci në Facebook më 17.08.2024.
Me këtë rast, Nagavci ka shtuar se në shërbimin e aplikuesve për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore është edhe numri i telefonit pa pagesë për çfarëdo pyetje që mund të keni rreth aplikimit në e-Kosova:0800 30 900, si dhe në email adresën:[email protected].
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.
Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024.
“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci më 13.08.2024.
Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria ka vendosur që t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave, pasi vitin e kaluar (2023/2024) u ishte ndarë buxhet prej 30 eurosh vetëm për mjete shkollore.
Kurse, prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2023/2024 u subvencionuan me 80 euro për blerje të librave dhe mjeteve mësimore.
Për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka njoftuar se do t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore.
Ndërsa, për prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka njoftuar se do t’i subvencionojë me nga 110 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.
Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 14.08.2024, fillimisht është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7,375,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Pastaj janë ndarë edhe 6.5 milionë euro në kuadër të masës 4.2 – Mbështetja e Arsimit, të Pakos së Ringjalljes ekonomike, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore.
Opozita edhe këtë vit po kundërshton mënyrën e subvencionimit të librave.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, pretendon se Ministria e Arsimit do të shpenzojë 20,123,240 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Në një konferencë për media më 16.08.2024, ai së bashku me deputetin tjetër të PDK-së, Ardian Kastrati, kanë kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.
Deputeti Kastrati është edhe zëvendëskryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, ndërsa deputeti Haxhiu është anëtar i këtij Komisioni.
Haxhiu ka vlerësuar se shpenzimi mbi 20 milionë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për të cilin pretendojnë, është keqpërdorim, ‘zhvatje’ e buxhetit të shtetit, sepse ai pretendon se oferta e shtëpive botuese në vitin e kaluar ka qenë 4 milionë e 800 mijë euro.
“Nga 4 milionë e 800 mijë euro, brenda një viti Ministria (e Arsimit) ka planifikuar t’i shpenzojë mbi 20 milionë euro apo thënë shkurt mbi 15 milionë euro të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla dhe për këtë duhet Prokuroria e Kosovës me urgjencë të veprojë dhe të ndalojë këtë keqpërdorim” – ka thënë Haxhiu.
Sipas deputetit Ardian Kastrati, subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore përbën dhunë psikike dhe fizike ndaj qytetarëve.
Ngjashëm u shpreh edhe LDK-ja.
“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë librat shkollorë dhe kjo dëshmon që kjo Ministri është e paaftë” – tha Jehona Lushaku, kryetare e Forumit të Gruas në LDK dhe drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë në një konferencë për media, më 14.08.2024.
Si element shumë i rëndësishëm po konsiderohet mungesa e mekanizmave që masin rezultatet e kësaj metode të re dhe nëse prindërit i kanë blerë librat.
“Sa prindër nuk janë subvencionuar? Sa prindër që nuk jetojnë në Kosovë janë subvencionuar? A kanë shkuar paratë për blerjen e librave?” – ishin disa prej pyetjeve të ngritura nga Lushaku, e cila shoqërohej nga një grup njerëzish, pjesë e departamentit të arsimit në LDK.
Përveç se i gabuar, LDK po e cilëson vendimin edhe si të vonuar, duke qenë vetëm dy javë larg nisjes së vitit të ri shkollor.
Si rrjedhojë, LDK konsideron se nxënësit nuk do të mund t’i kenë librat më 2 shtator 2024 dhe procesi mësimor do të pësojë humbje.