Subvencionet në bujqësi, fermerët vazhdojnë të ankohen për vonesa

Shumë kultivues të kulturave bujqësore në vend dhe përfituesit e granteve për bujqësi ende nuk i kanë marrë mjetet financiare dhe grantet që janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë për vitin 2019.

Të gjitha këto pagesa, sipas zotimeve të Ministrisë së Bujqësisë ishte dashur të procedohen deri në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Mirëpo, kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri ka deklaruar për KALLXO.com se rreth gjysma e bujqve nuk i kanë marr mjetet nga programi për mbështetje direkte-subvencione, dhe as nuk u është bërë ndarja e granteve.

“Në bazë të ankesave që na vijnë nga terreni, gati 50 përqind e fermerëve të cilët është dashur që t’i marrin subvencionet për vitin 2019 nuk i kanë marrë ende. Kurse, grantet nuk i kanë marrë askush. Kjo vonesë për fermerët është tepër zhgënjyese”, tha Tahiri.

Divizioni për Informim në Ministrinë e Bujqësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pagesat janë në procesim e sipër dhe që sipas tyre, në vazhdimësi janë duke realizuar këto pagesa.

“Pagesat janë në procesim e sipër dhe në vazhdimësi jemi duke realizuar këto pagesa. Më datë 05.02.2020, nga Thesari janë realizuar pagesat, si në vijim: Lista e fermerëve përfitues për Sipërfaqe (Lista e V-të), për 769 fermerë përfitues në vlerë totale 1,001,265.94€; Lista e fermerëve përfitues për Blegtori (Lista e IV-të), për 701 fermerë përfitues në vlerë totale 902,425.00€”, thuhet në përgjigjjen elektronike të tyre.

Gjithashtu sipas tyre, tashmë kanë edhe listën e fundit të pagesave, e cila “pritet të realizohet me alokimin e 1/12 (3/12) e buxhetit per muajin mars”.

Lidhur me vonesat e ndarjes së subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2019, KALLXO.com kishte raportuar edhe 23 nëntor.

Në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të MBPZHR-së kishin thënë se për rreth 6 mijë fermerë pagesa nuk është procesuar për shkak kontrolleve në terren.

Divizioni për Informim në Ministrinë e Bujqësisë, në një përgjigje për KALLXO.com, kishte deklaruar se të gjitha këto pagesa do të procedohen deri në fund të muajit nëntor.

Fermerët ankohen për vonesa të subvencioneve