Basketboll, Foto: FBK
Subencionet në Komunën e Obiliqit, një klub i basketbollit nuk ofroi dëshmi të pagesës për stafin e angazhuar
Komuna e Obiliqit gjatë vitit 2023 kishte subvencionuar një klub basketbolli përmes projektit “Ngritja e nivelit të basketbollit”. Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar se shpenzimet e klubit fitues nuk kanë qenë në harmoni me marrëveshjen e realizuar në mes tyre dhe komunës në subvencionin në vlerë 9,900 euro. Kjo ngase, kontratat e stafit që lidhen me aktivitetet e klubit në vlerë 9,550 euro nuk kishin dëshmi pagese ashtu siç kërkohet në marreveshje.
“Po ashtu, faturat tjera kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve sportive për basketboll, të cilat nuk kishin arsyeshmëri për realizimin e aktivitetit ngase nuk i përkasin periudhës së raportimit” – thuhet tutje në raportin e auditimit për Komunën e Obiliqit.
Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve në fushën e monitorimit të subvencioneve, dhe vlerësimit të raporteve narrative dhe financiare nga ana e komisionit përgjegjës.
ZKA tha se shfrytëzimi i subvencioneve nga përfituesit dhe raportimi i tyre jo në përputhje me marrëveshjen dhe rregulloren komunale, rezulton me vlerë të dobët të parasë së shpenzuar nga komuna dhe mosarritjen e objektivave për subvencionet e dhëna.
Auditori i rekomandoi kryetarit që të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e dhënies dhe monitorimit të subvencioneve, në mënyrë që fondet e dhëna nga komuna të shfrytëzohen vetëm për qëllimet e subvencionuara.
“Nëse përfituesit nuk arrijnë të arsyetojnë shfrytëzimin e fondeve në përputhje me qëllimin e dhënë, të merren masa për kthimin e fondeve nga përfituesit” – theksohet në raportin e ZKA-së.
Me këtë gjetje është pajtuar edhe Komuna e Obiliqit.
Komuna e Obiliqit ka marrë opinion të kualifikuar nga ZKA në raportin e vitit 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë 10 rekomandime, prej tyre katër rekomandime të reja, katër të përsëritura, dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 15 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, nëntë rekomandime ishin zbatuar, dy janë zbatuar pjesërisht ndërsa për katër rekomandime tjera nuk kanë filluar zbatimi.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Obiliqit mund ta gjeni në këtë LINK.