Konferenca e presidentes Vjosa Osmani, më 15.08.2024. Foto: KALLXO.com
S'u takuan, Osmani thotë se Kurti ia ka dërguar me shkrim datën e preferuar të LVV-së për zgjedhje
Data e zgjedhjeve të përgjithshme ende nuk dihet, por besohet të jetë një nga ditët e janarit ose shkurtit 2025.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet, Vetëvendosjes, përmes shkrimit e ka njoftuar në lidhje me datën e preferuar të partisë së tij.
Kurti nuk kishte marrë pjesë në konsultimet e 31 korrikut të presidentes Osmani me krerët e partive politike, me arsyen se ka pasur një takim të aranzhuar më herët me ambasadorët e akredituar në Kosovë.
“Nuk po e bëj të ditur datën sot. Por ju kemi dhënë afat subjekteve politike kohë deri në fund të kësaj jave që në qoftë se kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë ta ngrisin në ndërkohë”- tha Osmani në një konferencë për media më 15.08.2024.
Osmani tha se kanë marrë përgjiigje nga shumica dërrmuese e subjekteve politike, të cilat kanë kohë deri nesër të tregojnë nëse kanë vlerësime shtesë në lidhje me datën e zgjedhjeve.
Pastaj, e para e vendit tha se do të dëgjojë vlerësimet e kabinetit të saj dhe në lidhje me këtë çështje.
“Në fund është në diskrecion të Presidencës për ta zgjedhur datën që në ne e vlerësojmë së është më e përshtatshme, edhe pse të ju them sinqerisht nuk besoj që ka ndonjë dallim nëse një javë më pak, ose më shumë as për partitë politike”- tha ajo.
Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK e AAK kanë propozuar që zgjedhjet e rregullta në Kosovë të mbahen më 26 janar 2025.
Në takimin e 31 korrikut, Osmani tha se janë pajtuar që dita e zgjedhjeve të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.
Datat e përmendura dhe të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nga Osmani janë 26.01.2025, 02.02.2025, 09.02.2025 dhe 16.02.2025.
Presidentja Osmani kishte thënë se se do të tentojë që sa më parë të bëjë publike datën e zgjedhjeve.
Më 15.08.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar.