Stuhia e shiut rrëzoi edhe pemët në Gjilan - FOTO

Stuhi e madhe e shiut e ka përfshirë mbrëmjen e sonte Gjilanin. Stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Komuna ka njoftuar se nga stuhia janë rrëzuar edhe pemë në qytetin e Gjilanit.

Njoftimi i plotë i Komunës ë Gjilanit:

Komuna e Gjilanit sot gjatë orëve të mbrëmjes, është kapluar nga reshje të stuhishme të shiut, që kanë shkaktuar dëme në qytet, thyerje të drunjve, dëmtim të veturave, vërshime të bodrumeve në lagjen Arbëria dhe ndërprerje të energjisë në lokacione të ndryshme.

Njësitet profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit kanë intervenuar menjëherë në largimin e drunjve të rrëzuar në rrugë, gjithashtu kanë intervenuar edhe në largimin e veturave të bllokuara nga stuhia e shiut.

Ata kanë intervenuar edhe në largimin e drunjve të cilët kanë dëmtuar shtyllat elektrike në rrugën e Malishevës, ku me këtë rast për shkaqe të stuhisë dhe reshjeve të shiut disa vendbanime të Komunës së Gjilanit ishin pa energji elektrike në një interval kohor prej rreth tri orësh.

Është bërë edhe largimi i zhavorit nga rruga, i cili është bartur nga shiu i rrëmbyeshëm dhe kjo u bë së bashku me operatorët privat, duke bërë që gjendja të kthehet menjëherë në normalitet.