Ilustrim

Stuhi shiu e breshëri, Komuna e Prishtinës thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar

Përmes një njoftimi Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ditës së sotme të kenë kujdes të shtuar për shkak të motit të ligë me stuhi shiu dhe breshëri.

“Nëse mundeni, kufizojini lëvizjet në këmbë meqë parashikohet stuhi me shi dhe breshër” është thënë në njoftim ku tutje janë përmendur edhe disa këshilla nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për të evituar rrezikun

Komuna ka ripublikuar disa rekomandime të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, për të evituar rrezikun.

“Mos qëndroni pranë pemëve, shtyllave të telefonit apo flamujve. Distanca e sigurt nga objektet e larta është dyfishi i lartësisë së objektit. Gjatë stuhisë me vetëtima, mos përdorni ombrellë, qendroni larg gardheve me tela, paisjeve me tela për tharjen e rrobave dhe objekteve të tjera metalike. Gjatë stuhisë me vetëtima, qendroni larg paisjeve elektronike, kanaleve të ngrohjes, radiatorëve dhe hidraulikës. Hiqni nga priza paisjet kryesore elektrike”, thuhet në apel.

Komuna tutje ka bërë thirrje që të mos ketë panik dhe është theksuar që në raste emergjence të telefonohet në ‘Qendrën e Thirrjeve’ të Kryeqytetit, në numrin: 0800 122 33.

Të hënën për shkak të motit të ligë, një 30-vjeçar ka vdekur pasi atë e ka zënë një lis, i cili është rrëzuar nga një stuhi në Prishtinë.