Stufat kanë nxirë objektin e ri të shkollës ‘Besim Rexha’ në Komogllavë - VIDEO

Vijimi i mësimit në objektin e ri të shkollës “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë të Ferizajt ishte paraparë që të bëhej në fillim të vitit shkollor 2021/2022.

Si shkak i vonesave për furnizim me invertar mësimi në objektin e ri filloi në nëntor të vitit 2021, por me probleme.

Stufat e vendosur në njërën nga hapësirat e shkollës ka nxirë muret brenda dhe jashtë objektit.

Arben Mehmeti, sekretar në këtë shkollë ka thënë se problemi me ngrohjen  është shkaktuar nga oxhaku.

“Problemi më i madh është kanë më oxhakun e ngrohjes, ndërtuesi kur e ka bë, sigurisht është jashtë standardeve, nuk e dimë. Problemi më i madh ka qenë ai, ndërsa problemet e tjera janë mënjanu shumë shpejtë”, ka thënë Mehmeti.

Sekretari Mehmeti ka bërë të ditur se ka dërguar kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj, për të rregulluar këtë problem, ndërsa shqetësuese për të mbeten punëtorët teknik.

“Objektin siç e keni pa edhe vetë e ka nxirë, e ka dëmtu dhe për shëndet të punëtorëve teknik është shumë keq, sepse ata kryesisht qëndrojnë aty, për shëndet është më keq, se sa tek e fundit problem teknik eliminohet, ndreqet, lyhet, por shëndeti i punëtorëve është më primar”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e DKA-së, Afrim Llabjani, i cili ka thënë se kanë bërë kërkesë, por ende nuk kanë marrë përgjigje konkrete për rregullimin e këtij problem, por në rast se ky problem nuk rregullohet Llabjani ka paralajmëruar që do të ndërmarrin masa ligjore.

“Kemi vizituar shkollën dhe e kemi parë pjesën e ngrohjes se me të vërtet ka telashe, atë telashe ne e kemi evidentu dhe kemi arritur që të kontaktojmë edhe kontraktuesin, operatorin ekonomik, i cili e ka përfunduar dhe ata të cilët e kanë mbikëqyrur projektin, gjë që janë edhe inxhinierët e komunës”, ka thënë drejtori.

Ndërtimi i këtij objektit në të cilin mësojnë 342 nxënës ka kushtuar rreth 400 mijë euro.

KALLXO.com ka raportuar për problemet të cilat ka pasur kjo shkollë për kalimin e zhvillimit të mësimit nga objekti i vjetër në të riun.

Komunës së Ferizajt përmbaruesit ia marrin paratë, objekti i ri i shkollës në Komogllavë mbetet pa inventar