Foto: The New York Times - Adam Osman, 17, merr dozën e tij të parë të vaksinës Pfizer-BioNtech në ACCESS, një organizatë e shërbimeve sociale arabo-amerikane në Dearborn, Mich., në Prill.
Studiuesit identifikojnë një rrezik më të lartë se sa pritej nga miokarditi tek të rinjtë pas vaksinimit të plotë
Meshkujt midis moshës 16 dhe 29 vjeç kanë një rrezik në rritje për zhvillimin e problemeve të zemrës pas marrjes së dozës së dytë të vaksinave të koronavirusit të bëra nga Pfizer-BioNtech ose Moderna, sipas një analize të madhe të re të publikuar javën e kaluar në gazetën ‘Neë England Journal of Medicine’.
Studimi i kryer në Izrael, vlerësoi se gati 11 nga çdo 100,000 meshkuj në atë grupmoshë zhvilluan miokardit, inflamacion të zemrës, disa ditë pasi ishin i kishin marrë të dyja dozat e vaksinës. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me vlerësimet e mëparshme.
Djemtë midis 16 dhe 19 vjeç kishin shkallën më të lartë të paraqitjes së miokarditit pas dozës së dytë, sipas një studimi të dytë sipas kësaj gazete. Rreziku i problemeve të zemrës tek djemtë e asaj moshe ishte rreth nëntë herë më i lartë se tek djemtë e pavaksinuar të së njëjtës moshë.
Rreziku absolut është akoma shumë i vogël, dhe gjendja është e përkohshme. Dhe studimet kanë treguar se Covid-19 ka shumë më shumë gjasa të shkaktojë probleme në zemër në krahasim me vaksinimin.
Bazuar në të dhënat e disponueshme në muajin qershor, këshilltarët nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve votuan njëzëri për të rekomanduar vaksinën, duke thënë se përfitimet tejkalojnë shumë rrezikun. Për çdo milion djem të vaksinuar të moshës 12 deri në 17 vjeç, dozat mund të shkaktojnë një maksimum prej 70 rastesh të miokarditit, por do të parandalonin 5,700 infeksione, 215 hospitalizime dhe dy vdekje, ka vlerësuar agjencia në fjalë.
Miokarditi është ndër shqetësimet që mund të ketë bërë që Administrata e Ushqimit dhe Barnave të kërkojë nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna të regjistrojnë më shumë fëmijë në provat e tyre të vaksinave. Efektet anësore të mundshme ka të ngjarë të mbizotërojnë diskutimin kur këshilltarët e agjencisë të takohen javën e ardhshme për të shqyrtuar provat për një vaksinë tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Një nga studimet e reja pati qasje të dhënat nga 2.5 milionë anëtarë të vaksinuar të rrjetit më të madh të kujdesit shëndetësor të Izraelit, të cilët ishin të moshës 16 vjeç e lart. Studiuesit identifikuan 54 raste të miokarditit dhe vlerësuan se 41 prej tyre ishin të lehta. Rreth 70 përqind e rasteve të miokarditit u vëzhguan pas dozës së dytë.
Një prej rasteve ishte diç më i rëndë dhe kërkonte ventilim. Një pacient me një histori të sëmundjeve të zemrës vdiq nga një shkak i panjohur menjëherë pasi ishte liruar nga spitali. Nga 14 pacientët që treguan anomali të zemrës kur u shtruan në spital, 10 ende kishin disa shenja të problemeve kur u liruan.
Por kur pacientët u ekzaminuan përsëri disa javë më vonë, të pesë ata për të cilët ishin në dispozicion rezultatet duket se ishin shëruar plotësisht.
Në të gjitha grupmoshat dhe gjinitë, shkalla e përgjithshme ishte pak më shumë se dy raste për 100,000 njerëz, zbuloi studimi. Por kur studiuesit analizuan rezultatet sipas moshës dhe gjinisë, ata gjetën shkallën më të lartë tek meshkujt 16 deri në 29 vjeç. Rreziku tek femrat e çdo moshe ishte i papërfillshëm.