Studimi: Rritja e temperaturës globale mund të shkaktojë vështirësi për jetesë për miliarda njerëz në shumë vende të botës

Të supozojmë se ritmi aktual i ngrohjes globale është i pakontrolluar. Në atë rast, ai do të shtyjë miliarda njerëz jashtë “kushteve klimatike”, temperaturat ku njerëzit mund të lulëzojnë, dhe do t’i ekspozojë ata ndaj kushteve të nxehta të rrezikshme, sipas një studimi të ri të botuar të hënën.

Studimi, i botuar në revistën Nature Sustainability, vlerësoi ndikimin tek njerëzit nëse bota vazhdon në trajektoren e saj të parashikuar dhe ngrohet 2.7 gradë Celsius deri në fund të shekullit, krahasuar me temperaturat para-industriale.

Duke e marrë parasysh ngrohjen e pritshme globale dhe rritjen e popullsisë, studimi zbuloi se deri në vitin 2030 rreth dy miliardë njerëz do të jenë jashtë kushteve të klimës, duke u përballur me temperatura mesatare prej 29 gradë Celsius (84 gradë Fahrenheit) ose më të larta, me rreth 3.7 miliardë që jetojnë jashtë kushteve deri në vitin 2090.

Timothy Lenton, një nga dy autorët kryesorë të studimit, thotë se një e treta e popullsisë globale mund të jetojë në kushte klimatike që nuk e mbështesin “lulëzimin njerëzor”.

“Ky është një riformësim i thellë i banueshmërisë së sipërfaqes së planetit dhe mund të çojë potencialisht në riorganizim në shkallë të gjerë të vendit ku jetojnë njerëzit”, thotë Lenton, drejtor i Institutit Global të Sistemeve në Universitetin e Exeter, në një video të shpërndarë nga instituti në fjalë.

Sipas raportit të lartcekur, zona përbëhet nga vende ku temperatura mesatare vjetore shkon nga 13 gradë Celsius (55 gradë Fahrenheit) në rreth 27 gradë Celsius (81 gradë Celsius). Jashtë kësaj dritareje, kushtet priren të jenë shumë të nxehta, shumë të ftohta ose shumë të thata.

Studimi përcakton se ndërkohë që më pak se 1% e popullsisë globale është aktualisht e ekspozuar ndaj nxehtësisë së rrezikshme, me temperatura mesatare prej 29 gradë Celsius ose më të larta, ndryshimi i klimës ka vënë tashmë më shumë se 600 milionë njerëz jashtë kushteve të lejueshme.

Nëse Toka ngrohet me 2.7 gradë Celsius, India, Nigeria, Indonezia, Filipinet dhe Pakistani do të ishin pesë shtetet kryesore me popullsinë më të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të nxehtësisë, zbuloi studimi.

E gjithë popullsia e disa shteteve, si Burkina Faso dhe Mali, si dhe ishujt e vegjël tashmë të rrezikuar nga rritja e nivelit të detit, do të përballen me temperatura të larta.

Në skenarët më të keq, nëse Toka ngrohet me 3.6 apo edhe 4.4 gradë Celsius deri në fund të shekullit, gjysma e popullsisë së botës do të jetë jashtë zonës klimatike, duke përbërë atë që raporti e quan “një rrezik ekzistencial”.

Sipas raportit, të jetuarit jashtë zonës mund të çojë në rritje të shkallës së vdekshmërisë, pasi ekspozimi ndaj temperaturave mbi 40 gradë Celsius mund të jetë vdekjeprurës, veçanërisht nëse lagështia është aq e lartë sa trupi nuk mund të ftohet më në një temperaturë që mund t’i ruajë funksionet normale.

Nxehtësia ekstreme parashikohet gjithashtu t’i ulë rendimentet e të korrave dhe ta rrisë konfliktin dhe përhapjen e sëmundjeve.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ngrohja përtej 1.5 gradë Celsius do të rezultonte në ndryshime katastrofike dhe potencialisht të pakthyeshme. Ndërkohë që zonat brenda zonës klimatike zvogëlohen ndërsa temperaturat globale rriten, një pjesë më e madhe e popullsisë do të ekspozohet më shpesh ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë thatësirat, stuhitë, zjarret dhe valët e të nxehtit.

Ekspertët thonë se ka ende kohë për ta ngadalësuar ritmin e ngrohjes globale duke u larguar nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit dhe drejt energjisë së pastër, ndonëse edhe kjo mundësi po bëhet tani e pamundur.

Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se brenda pesë viteve të ardhshme, ka një shans prej 66% që temperatura e planetit të jetë më shumë se 1.5 gradë Celsius më e ngrohtë se nivelet para-industriale për të paktën një vit./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala