Foto: PPNEA

Studimi mbi derrin e egër ekspozon dështimin e moratoriumit të gjuetisë në Shqipëri

Një raport studimor mbi densitetin e derrit të egër në 19 zona të Europës ka nxjerrë në pah se Shqipëria lë ende për të dëshiruar në zbatimin e moratorumit të gjuetisë.

Një risi e re monitormi – kamerat kurth – janë përdorur si metoda kryesore për të grumbulluar të dhëna në terren për studimin e densitetit të derrit të egër, ku Shqipëria rezulton me popullatën më të paktë krahasuar me vendet e rajonit.

“Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, sidomos me Maqedoninë e Veriut, dendësia e popullatës së kësaj specie në Shqipëri është drastikisht më e ulët, me 1.45 deri 0.49 individë për km2 në Munellë, kundrejt 37.23 deri 10.74 individë për km2 në Mrezicko, Maqedoninë e Veriut,” citon raporti.

Në zonat e Shqipërisë, përkatësisht në rajonin e Munellës, monitorimet janë kryer prej ekipit të Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror, PPNEA, gjatë vitit 2021.

Raporti thekson se zona e Munellës nuk ka qenë zonë gjuetie as përpara hyrjes në fuqi të ligjit për shpalljen e moratoriumit në vitin 2014. Ky ligj u vendos me qëllim përmirësimin e gjendjes së faunës së egër, të cilat janë objekt gjuetie.

Sipas ekspertëve mjedisorë, rezultatet e studimit tregojnë se moratoriumi i gjuetisë nuk e ka kryer funksionin e tij, edhe pse përsëri u vendos për zgjatjen e kësaj mase edhe për 3 vite të tjera.

“Institucionet vendimmarrëse duhet të marrin masa për krijimin e strukturave kontrolluese dhe krijimin e një ligji të ri për menaxhimin e gjuetisë,” thuhet në komunikatën për shtyp të PPNEA. /reporter.al