Studimi i ri tregon orën kur barnat për hipertension kanë më shumë efekt

Për të përfituar sa më shumë nga ilaçet e shtypjes të gjakut, ato duhet të përdoren pak para kohës së gjumit, thonë studiuesit.

Është një këshillë e thjeshtë e cila mund të shpëtojë jetë njerëzisht, sipas European Heart Journal.

BBC raporton të gjeturat nga studimit që thotë se këto pilula ofrojnë më shumë mbrojtje kundër sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, nëse përdoren në kohën e gjumit

Ekspertët besojnë se ora biologjike e trupit tonë apo ritmi natyror 24-orësh e rregullon reagimin tonë ndaj ilaçeve.

Përshtatni përdorimin e barnave me orën e trupit tuaj

 Ka shumë dëshmi se ilaçe të ndryshme, përfshirë pilulat e zemrës, mund të funksionojnë më mirë kur merren në periudha të caktuara të ditës.

Ky studim i fundit është më i madhi deri më tani që merret me fenomenin e pilulave të shtypjes së lartë të gjakut dhe përfshiu më shumë se 19 mijë persona  në studim.

Në studimin spanjoll:

Pacientët u ndanë në dy grupe – njëri grup merrte pilulat në mëngjes dhe grupi tjetër i merrte në mbrëmje para gjumit.

Studiuesit vëzhguan se çfarë u ndodhi pacientëve gjatë pesë ose më shumë viteve të ardhshme

Pacientët që i morën ilaçet e tyre në mbrëmje e kishin përgjysmuar rrezikun që të vdisnin nga një sulm në zemër apo goditje në tru.

Presioni i gjakut duhet të zbret natyrshëm gjatë natës, pasi pushojmë dhe flemë.

Nëse nuk ndodh kështu dhe presioni i gjakut vazhdon te mbetet i lartë, kjo ju vë në rrezik të shtuar ndaj sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, thonë ekspertët.

Hulumtimi sugjeron që përdorimi i ilaçeve në mbrëmje ndihmon për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut gjatë natës, te pacientët e diagnostikuar me presion të lartë të gjakut (të cilin mjekët e quajnë hipertension).

Pacientët që morën ilaçet para gjumit, kishin ndjeshëm presion më të ulët të gjakut gjatë natës dhe gjatë ditës, dhe presioni i tyre i gjakut ulej më shumë gjatë natës kur krahasoheshin me pacientët që merrnin ilaçet e tyre çdo mëngjes.

Studiuesi kryesor Profesor Ramon Hermida, nga Universiteti i Vigo, tha që mjekët mund të konsiderojnë rekomandimin e tij për pacientët: “Është falas dhe mund të shpëtojë shumë jetë”

“Udhëzimet aktuale për trajtimin e hipertensionit nuk rekomandojnë ndonjë kohë të preferuar të trajtimit. Përdorimi i hapave në mëngjes ka qenë rekomandimi më i zakonshëm nga mjekët bazuar gabimisht me qëllimin e uljes së niveleve të presionit të gjakut në mëngjes.

“Rezultatet e këtij studimi tregojnë se pacientët të cilët në mënyrë rutinore marrin ilaçet e tyre anti hiperpertensionale gjatë gjumit, në krahasim me kur zgjohen, kanë presion më të kontrolluar të gjakut dhe më e rëndësishmja, kanë rrezik më të vogël nga vdekja prej hipertensionit.

Vanessa Smith, nga British Heart Foundation tha: “Nëse aktualisht po merrni ilaçe për presionin e gjakut, është e rëndësishme ta konsultoni mjekun tuaj ose farmacistin përpara se të ndryshoni kohën që e merrni atë. Mund të ketë arsye specifike pse mjeku juaj ka përshkruar që  ilaçet t’i merrni në mëngjes ose mbrëmje.”

Faktorët e përditshëm gjithashtu ndikojnë në presionin e gjakut, kështu që mundohuni të shmangni: Pirjen e tepërt të alkoolit, pirjen e duhanit, mbipeshën, mungesën e aktiviteteve fizike dhe përdorimin e tepërt të krypës në ushqime

Përgatiti: Senad Durguti