Studimi australian: Vdekjet e burrave nga kanceri pritet të rriten për 93 për qind deri më 2050
Rastet dhe vdekjet nga kanceri në mesin e personave të gjinisë mashkullore pritet të shënojnë ngritje të madhe deri më 2050, kanë treguar të dhënat e një studimi të publikuar të hënën, me ngritje të mëdha në mesin e burrave mbi 65-vjeç, raporton CNN.
Për studimin, të publikuar në revistën shkencore “Cancer”, hulumtuesit nga Australia kanë analizuar rastet dhe vdekjet nga 30 lloje të kancerit në 185 vende dhe territore më 2022 për t’i nxjerrë projeksionet për 2050.
Studimi projekton se rastet e përgjithshme në mesin e meshkujve do të rriten nga 10.3 milionë më 2022 në 19 milionë më 2050, një ngritje prej 84 për qind. Vdekjet nga kanceri ishin projektuar të rriteshin nga 5.4 milionë më 2022 në 10.5 milionë më 2050, ngritje prej 93 për qind. Vdekjet në mesin e burrave mbi 65-vjeç pritet të rriten për 117 për qind.
Vendet me të ardhura më të ulëta dhe pritje më të vogla për jetëgjatësi gjithashtu projektohet të kenë ngritje më të madhe të vdekjeve nga kanceri në mesin e burrave. “Ndërmjet viteve 2022 dhe 2050, në Afrikë dhe Mesdheun Lindor, numri i rasteve dhe vdekjeve projektohet të ngrihet për dyfish e gjysmë. Ndërsa, Europa projektohet të shënojë ngritje përgjysmë” – shkruajnë hulumtuesit.
Burrat kanë më shumë gjasë se gratë që të vdesin prej kancerit. Burrat kanë më shumë gjasë të pinë duhan dhe alkool, sjellje që çojnë në shumë raste kanceri, dhe pritet të jenë më të ekspozuar ndaj karcinogjenëve në vende pune. Ata kanë edhe më pak mundësi të kenë qasje në programe skanimi.
Si më 2022, kanceri i mushkërive projektohet të jetë shkaktari kryesor i kancerit dhe vdekjeve të kancerit te burrat më 2050. Llojet e kancerit me ngritjet më të mëdha të projektuara për vdekje te burrat deri më 2050 ishte kanceri mesothelioma dhe ai i prostatës.
Hulumtuesit thonë se qasja në shëndetësi dhe infrastrukturë më të mirë – përfshirë edhe forcën punëtore – janë të nevojshme për ulje të rasteve të vdekjeve nga kanceri dhe për përgatitje për pritjet deri më 2050. Zgjerimi i kujdesit të përgjithshëm shëndetësor në mbarë botën do të fuqizonte “opsionet themelore të kujdesit ndaj kancerit”, kanë shkruar ata, duke spikatur se vendet me të ardhura të ulëta janë në mënyrë të shpërputhur më të prekura nga sistemet e dobëta të kujdesit ndaj kancerit dhe kanë mbulim të kufizuar të kujdesit shëndetësor.
Në fillim të vitit, një raport i Shoqërisë Amerikane të Kancerit tregoi se ngritja e popullsisë dhe plakja janë faktorët kryesorë të përmasave të barrës botërore të kancerit, me popullsinë globale prej 8 miliardë njerëzish më 2022 që pritet të shkojë në 9.7 miliardë më 2050.
Në lidhje me numrin e rasteve me kancer anembanë botës, “ne mendojmë se numri do të shkojë në mbi 35 milionë deri më 2050, kryesisht për shkak të ngritjes së numrit të popullsisë në popullsinë e plakur”, ka thënë Dr. William Dahut, kryeshkencëtar i Shoqërisë Amerikane të Kancerit. Dhe nëse njerëzit përdorin edhe duhanin dhe kanë më shumë mbipeshë, bashkë me faktorë të tjerë për kancer, kjo shoqëri thekson se numri i projektuar i rasteve të kancerit mund të jetë edhe më i lartë – sidomos në vendet me të ardhura të ulëta./ CNN.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com