Studentëve të Filologjikut u kufizohet koha në bibliotekë

Në sallën jo fort të ndriçuar brenda Fakultetit Filologjik, pothuajse të gjitha karriget janë nxënë me studentë që lexojnë.

Me pak pëshpëritje, mbizotëron qetësia.

E qetë është edhe Gresa Bardhecaj, një studente e gazetarisë. Ajo megjithatë e shikon vazhdimisht orën.

Jo pse ka ndonjë obligim që e pret jashtë sallës së leximit, por sepse dëshiron të dijë sa kohë i ka mbetur deri në mbyllje të bibliotekës.

Hapësira e paraparë për shfrytëzim nga studentët e këtij fakulteti, mbyllet fiks në orën 17.

Kjo kohë po konsiderohet e pamjaftueshme për studentët që e shfrytëzojnë bibliotekën si hapësirë e përshtatshme për mësim.

Këtë bibliotekë e menaxhon vetëm një punëtore dhe kjo është arsyeja pse mbahet vetëm një orar pune.

Studentët tregojnë se shpesh duhet ta ndalin mësimin në gjysmë për të dalë nga biblioteka.

Enita Hyseni, përgjegjëse e bibliotekës në Fakultetin Filologjik, për KALLXO.com tregoi për vështirësitë që ka në punë.

“Nuk është aspak e lehtë. Me ndihmojnë studentët në mënyrë vullnetare, ndryshe nuk e di si do ja kisha dalur, është e pamundur për një të vetme t’i kryej të gjitha këto”, tha ajo.

Hyseni  tregon se kishte marrë premtime nga Dekanja e këtij fakulteti për hapjen e konkursit për punësimin e një biblioteksite tjetër. Mirëpo, deri më tani ky konkurs nuk është hapur.

Shpresa Qeriqi, studente e letërsisë shqipe, ndihmon në mënyrë vullnetare përgjegjësen e bibliotekës.

Ajo çdo herë pas ligjëratave apo në pauza gjendet aty. .

“Nëse do të ishte e mundur të zgjatej orari deri në orën 19:00 kishte me qenë e udhës përderisa biblioteka jonë nuk është vetëm sallë leximi, është biblioteke e tipit të mbyllur dhe librat më të cilat shërbehemi nuk kemi të drejtë me i marrë me vete”, shtoi Qeriqi.

Ndërkaq Dekanja Lindita Sejdiu Rugova tha për KALLXO.com se kanë bërë kërkesë për pozitë të bibliotekistes por se nuk kanë mjete financiare.

“Me një punëtore aktuale, biblioteka nuk mund të punojë në dy ndërrime, prej 8-20. E kemi diskutuar disa herë këtë çështje dhe kemi bërë kërkesë për pozitë të bibliotekistit, presim që kërkesa jonë të përmbushet sapo të ketë mundësi buxhetore”, deklaroi ajo.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Rektorat lidhur me këtë problematikë por  nuk ka marrë përgjigje.