Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Foto: Kallxo.com

Studentëve në Akademinë e Sigurisë Publike iu ndërrohet orari i ligjëratave

Në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, funksionon Fakulteti i Sigurisë Publike, i cili ka filluar me programin Bachelor të Sigurisë Publike nga viti 2014- 2015.

Studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike i cili ndodhet brenda Akademisë së Kosovës për Siguri Publike kanë të drejtë të jenë vetëm zyrtarët e punësuar në institucionet e Sigurisë Publike, si Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Zjarrfikësit dhe Shërbimi Korrektues.

KALLXO.com ka pranuar informacion, se në kontratat e nënshkruara me studentët është caktuar që orari i ligjëratave në Akademi të jetë gjatë tri ditëve të punës nga e hëna deri të mërkurën, por që ky vendim ka ndryshuar pas nënshkrimit të kontratave me studentët.

“Gjatë tri ditëve të punës nga e hëna deri të mërkurën të merr pjesë në ligjëratat e rregullta siç është e përcaktuar me orarin e ligjëratave duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në provime sipas orarit të përcaktuar”, thuhet në një kontratë të siguruar nga KALLXO.com.

Këto kontrata me studentët janë nënshkruar pas marrjes së vendimit nga Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri publike, i cili ka përcaktuar mënyrën e vijimit të pjesës teorike dhe praktike.

Por, vendimi i Bordit të Akademisë Së Kosovës për Siguri Publike ka ndryshuar, duke ndryshuar kështu datat e vijimit të ligjëratave nga ana e studentëve.

Vendimi i ri ka përcaktuar orarin e ligjëratave në ditët e enjte nga ora 17:00, ndërsa të premten dhe të shtunën gjatë ditës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismajl Smakiqi , i cili ka thënë se ky ndryshim i orarit ka ndodhur për shkak të vështirësive operacionale që kanë Institucionet e Sigurisë si pasojë e mungesës së zyrtarëve të tyre  gjatë ditëve të punës.

“Bordi i Akademisë i cili përbëhet nga drejtorët e përgjithshëm të Institucioneve të Sigurisë Publike për të cilat Akademia ofron Shërbime në takime të rregullta të Bordit kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mungesat e zyrtarëve në punë dhe vështirësitë operacionale që kanë Institucionet e Sigurisë publike si pasojë e vijimit të ligjëratave nga zyrtarët e tyre gjatë tri ditëve të punës të përcaktuara me vendimin e bordit, arsye kjo për inicimin e analizimit, ndryshimin e orarit të ligjëratave”, ka thënë Smakiqi për KALLXO.com.

Ai ka bërë të ditur se me qëllim të rishikimit të mënyrës së vijimit të ligjëratave, Bordi i Akademisë në mbledhjen e mbajtur me 10 korrik ka themeluar grupin punues.

“Grupi punues pas analizimit dhe shqyrtimi të mënyrës së vijimit të ligjëratave ka hartuar raportin e punës me rekomandime konkrete për anëtarët e Bordit. Bordi i Akademisë me 20 shtator pas shqyrtimit të raportit të pranuar nga grupi punues dhe raportit të pranuar nga Fakulteti i Sigurisë Publike ka nxjerrë vendim të ri për caktimin e orarit të ligjëratave në ditët e enjte nga ora 17:00, ndërsa të premten dhe të shtunën gjatë ditës”, ka thënë Smakiqi.

Ai ka shtuar se ky vendim është marrë nga  drejtorët e Institucioneve të Sigurisë Publike si punëdhënës kryesor të zyrtarëve të studentëve.

Smakiqi tutje ka bërë të ditur se me orarin e ri të ligjëratave nuk janë pajtuar studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike, dhe për pakënaqësinë e tyre është thirrur një takim  të përbashkët.

“Akademia ka thirrur takimin e përbashkët me studentët me qëllim të sqarimit të vendimit. Akademia përmes përfaqësuesit të saj në grupin punues ka paraqitur edhe interesat e studentëve dhe ka prezantuar raportin i cili nuk është pajtuar me qëndrimet e Institucioneve të Sigurisë Publike, andaj si rezultat i analizimit të këtyre dy raporteve në Bord është vendosur orari i ri. Aktualisht studentët janë duke vijuar ligjëratat sipas vendimit të ri të Bordit të Akademisë”, ka thënë Smakiqi.