Studentëve francezë u premtohen dy shujta brenda ditës

Presidenti i Francës Emmanuel Macron u ka premtuar studentëve të universiteteve dy shujta në ditë me vlerë një euro për t’i ndihmuar gjatë mbylljes si shkak i pandemisë së COVID-19, raporton BBC

“Ne duhet të jemi në gjendje të ofrojmë përkrahje më të mirë”, tha ai në një takim me studentët në Paris.

Ky vendim erdhi pas protestave të studentëve të cilët bënë thirrje për më shumë ndihmë në zbutjen e vetmisë dhe problemeve financiare.

Macron i cili foli para studentëve të Universitetit Saclay në Paris, gjithashtu tha se qeveria do u ofrojë subvencione për t’i paguar shërbimet e shëndetit mendor.

Subvencionet do merren në formë të një kuponi të cilin studentët mund ta marrin falas nëse ndjejnë nevojë për të folur me një profesionist të shëndetit mendor, tha presidenti.

Kurse shujtat ditore me zbritje do jenë në dispozicion në mensat e universiteteve dhe pikat e tjera të afërta që ofrojnë shërbime “merr me vete”.

Kërkesë tjetër e studentëve që protestuan ka qenë edhe ligjërimi në objekte të kampuseve e jo përmes platformave.

Presidenti Macron tha se të gjithë studentët duhet të lejohen brenda kampuseve se paku një herë në javë, duke kërkuar që respektimi i masave të respektohet.