Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Studentët protestojnë pas vendimit për ripërsëritje të provimit të doktoratës

Para rektoratit të Universitetit të Prishtinës sot kanë protestuar kandidatë të cilët janë pranuar në studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik, por që pas një vendimi të Senatit janë të detyruar ta përsërisin provimin pranues.

Në dhjetor të viti të kaluar janë pranuar 35 studentë në studime të doktoratës në Fakultetin Ekonomik.

Egzon Lajqi, avokat i studentëve para mediave tha se vendimi i Senatit nuk ka bazë ligjore dhe është i padrejtë.

Sipas avokatit Senati është thirrur në konflikt të interesit e sipas tij nëse ka pasur diçka të tillë procesi është dashur të mos vazhdojë.

“Arsyeja e kësaj proteste është një vendim të cilin e konsiderojmë të padrejtë, i cili nuk është i bazuar në asnjë pikë ligjore. Vendimi i senatit për rikthim në pikën zero procesi komplet i testimit të kandidatëve në nivelin e doktoratës nuk është i drejtë dhe kjo dëshmohet edhe me vendimin e tyre sepse pikat në të cilat këta janë thirrur është konflikti i interesit. Si fillim këta nuk kanë pasur nevojë t’i drejtohen avokatit të popullit dhe Agjencisë kundër korrupsion për një sqarim ligjor në rastet kur kemi të bëjmë me konflikt interesi. Këtu sqarohet shumë mirë për njësitë akademike se di duhet të veprohet kur kemi të bëjmë me konflikt interesi, nëse kanë dyshuar për diçka të tillë, ata është dashur të veprojnë në fillim të procesit dhe jo të vazhdojnë sepse me vendimin e tyre nuk është se kanë bërë ndonjë ndryshim tek anëtarët e komisionit”, ka  thënë Lajqi.

Lajqi tutje potencoi se në vendim janë thirr edhe në mënyrën e akumulimit të pikëve që sipas tyre është bërë gabim, avokati tha se as kjo pikë nuk ka bazë ligjore pasi në disa drejtime provimi ka qenë i gjithi në gjuhën angleze.

Avokati paralajmëroi edhe shkuarjen në procedura gjyqësore në mënyrë që të mos ndodh ritestimi.

“Së dyti këta janë thirrur në atë se akumulimi i pikëve ka qenë në mënyrë të gabuar sipas njësive akademike, as kjo nuk ka bazë ligjore për t`u kthyer në pikën zero pasi ka drejtime në fakultetin ekonomik ku provimi ka qenë i gjithi në gjuhën angleze, dhe pika e shtatë e vendimit të tyre thuhet që është zbatuar në përpikëri. Janë thirrur gjithashtu që informimi jo i plotë i kandidatëve lidhur me kohën e mbajtjes së provimit pranues, as kjo nuk qëndron pasi informimi ka ardhur nga ana e senatit. Masat që ne do marrim nëse nuk vepron senati do jenë procedura gjyqësore, nuk do lejojmë që studentët të hyjnë prapë në provim”, shtoi tutje Lajqi.

Kurse Arjeta Halimi, studente në këtë Fakultet tha se nuk do pranojnë t’i nënshtrohen riprovimit.

“Ne nuk do pranojmë që t’i nënshtrohemi këtij provimi, jemi 35 kandidatë të pranuar”, ka thënë Halimi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com