Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Studentët pritet të vendosen në konvikte javën tjetër, 1 student në 1 dhomë

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të fillojë sistemimi i studentëve në konvikte.

Sfishta për KALLXO.com bëri të ditur se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar që në çdo dhomë të vendoset një student.

“Janë dalë listat për studentët e pranuar dhe pritet që ditëve në vijim të bëhet vendosja e studentëve. IKShPK na ka rekomanduar që pos masave të respektimit të distancës dhe të tjerave higjienike, të vendoset një student në një dhomë. Këtë vit pra, i pranojmë 1,600 studentë”, tha ai.

Ai shtoi se studentët janë ndarë në bazë të fakulteteve që kanë mësim laboratorik dhe praktik.

“Prej të hënës së ardhshme deri të enjten do të sistemohen të gjithë studentët. Kriteret kanë qenë të njëjta dhe vetëm janë nda fakultetet. Kanë përparësi fakultetet që kanë mësim laboratorik dhe praktik. Janë 9 fakultete, Tekniku, Mjekësia, FShMN, Edukata Sportive dhe i Arteve”, shtoi ai.

Viti i ri akademik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar më 1 tetor dhe ligjëratat janë duke u zhvilluar online.

Konviktet e Qendrës së Studentëve ishin mbyllur pas rasteve të para me COVID-19 dhe kjo qendër ishte shndërruar në karantinë për personat që vinin në Kosovë nga shtetet e jashtme.

Në konviktet tre, gjashtë, shtatë dhe tetë ishin karantinuar mbi 1,300 persona.