VIDEO - Studentët para Kuvendit: Boll luajtët me këtë popull

 

Studenti Bekim Ibishi me shokët e tij e shpërfaqën një grafit me fjalët “Boll luajtët…. me këtë popull”, para dyerve të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për vonesat në formimin e Qeverisë së re të vendit.

Sipas autorit, kuptimi i grafitit është thirrje senzibilizuese për “personat të cilët luajnë me këtë popull” dhe nuk ka asnjë fjalë fyese.

Fillimisht të ndaluar nga Policia e Kosovës, studentët insistuan të përfundojnë punën e filluar.

“Në qytet ka shumë kësi që kanë ba partitë politike, që sot po tentojnë me formu qeverinë e na lanë që tre muaj… Argumentomani ju Policia e Kosovës nëse është e jashtëligjshme kjo që jena tu e bo na”, ka thënë studenti Blendon Arifi.

Ndërsa studenti Bekimi Ibishi polemizoi me policët të cilët nuk po i lejonin studentët në performancën e tyre.

“Nuk jeni në gjendje me çu një aktakuzë deri në fund, nuk jeni në gjendje që një të akuzum me çu prapa grilave, e jeni në gjendje me i parandalu do studenta, qekaq jeni të fortë”, u tha ai policëve.

Studenti i shqetësuar shprehet se është i lodhur me gjendjen politike dhe kërkon arsyen pse duhet të qëndrojë në Kosovë kur “Gjermania po u jep të rinjve mundësi shumë të mira”.

“Gjermania na ka dhënë një mundësi me u kualifiku, ne do të ikim me u kualifiku, klasa e njerëzve të mirë ka me ikë”, ka thënë studenti, Bekim Ibishi.

Studentët kanë paralajmëruar së sa herë do të shohin politikanë në rrugën do të ushtrojnë bullizëm dhe do t’i ofendojnë përderisa nuk punojnë për interesa të qytetarëve.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com