Universiteti "Kadri Zeka", Gjilan

Studentët pa maska brenda universitetit "Kadri Zeka" në Gjilan (FOTO)

Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, studentët janë lejuar të hynë pa maska mbrojtëse në hapësirën e brendshme.

Sot, ekipi i KALLXO.com ka vizituar hapësirat e këtij universiteti dhe ka hasur në disa studentë, të cilët kanë nuk kanë pasur fare të vendosura maska mbrojtëse dhe nuk kanë qenë duke e mbajtur distancën me njëri tjetrin.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Gjilanit se pse janë lejuar studentët pa maska brenda objektit në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Gjilanit, Sadik Haxhiu ka thënë se edhe pse vazhdimisht iu bëhet me dije mbajtja e maskës studentëve, është e vështirë të njëjtët të kontrollohen vazhdimisht e sidomos nëpër koridore.

“Ne i kemi kry këto obligime edhe përmes senatit, rektorit, emaileve që i kemi dërgu studentëve. Janë sigurimi në hyrje që janë të obliguar me i kontrollu në hyrje por nuk është që po mundemi me i pas nën kontroll se është pak edhe kulturë. Ligjëratat janë duke u mbajtur online por ushtrimet po mbahen në klasë me grupe të vogla, me distancë. Unë kur kam pas kollekfium kam shku me maskë në klasë edhe studentët kanë qenë me maska, më e vështirë po është me i kontrollu kur po dalin nëpër koridore”, ka thënë Haxhiu për KALLXO.com.

Më tej ai ka thënë se studentët janë mbi 18 vjeç dhe duhet të jenë të vetëdishëm edhe për pasojat që vijnë nga mosrepektimi i masave kundër përhapjes së COVID-19.

“Unë e kam bindjen që përveç që duhet me i respektu aktet normative duhet pak edhe me qenë të përgjegjshëm, se thash edhe në fillim, është sigurimi në hyrje që nuk i lejon pa maska, jemi ne që herë pas here kur jemi në koridor iu japim këshilla, është edhe Parlamenti Studentor që vazhdimisht iu japin këshilla por kjo është edhe pak përgjegjësi e tyre përveç të tjerave. Secili i ka 18 vjet edhe duhet me ditë cilat janë pasojat”, ka shtuar Haxhiu.

22.01.2021, Foto: KALLXO.com

Në muajin tetor të vitit 2020, në prag të fillimit të vitit akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka” ka miratuar udhëzuesin për zhvillimin e procesit mësimor në kushte pandemie për semestrin dimëror 2020/2021.

Në këtë udhëzues përveç tjerash potencohet se mbajtja maskave është obligative gjatë tërë kohës nga të gjithë personat brenda objektit të UKZ-së dhe se stafi akademik dhe studentët nuk lejohen në klasë pa maska.

“Stafi akademik dhe studentët të cilët nuk i rrespektojnë masat anti-pandemi do të largohen nga objekti i UKZ”, thuhet në udhëzues.

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.