Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini", Foto: Universiteti "Isa Boletini"/Facebook

Studentët pa maska brenda Universitetit "Isa Boletini" në Mitrovicë (FOTO)

Në hapësirat e Fakulteti Ekonomik dhe atij Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, studentët janë parë të hynë pa maska mbrojtëse ndaj COVID-19.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi e cila është realizuar në hapësirat e këtyre dy fakulteteve, ku janë parë disa studentë, të cilët nuk kanë pasur fare të vendosura maska mbrojtëse dhe nuk kanë qenë duke e mbajtur distancën me njëri tjetrin.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga dekani i Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës se pse janë lejuar studentët pa maska në hapësirat e këtyre fakulteteve në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka ka deklaruar se studentët nuk kanë qenë pranë zyres së tij por tek zyra e dekanit të Fakultetit Ekonomik. Por Beka nuk ka treguar se pse studentët janë lejuar të qëndrojnë pa maska në ato hapësira, pavarësisht se në cilën zyrë kanë pasur punë.

“Vërtetoje gjendjen faktike saktë njëherë pastaj krijoni pasqyrë reale për situatën për të cilën po e cekni. Ata studentë nuk kanë qenë tek unë në dekanat, por tek dekani i Fakultetit Ekonomik, i cili është përballë zyrës sime”, ka deklaruar Beka për KALLXO.com.

Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Mitrovicës, Qazim Tmava ka thënë se në atë kohë disa profesorë të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik kanë pasur konsultime me studentë. Por Tmava ka treguar se posa ka vërejtur grumbullimin e studentëve është kërkuar shpërndarja e studentëve.

“Fotografia nuk ka qenë para dekanatit, se në koridor aty janë dy fakultete që mbajnë mësim, Fakulteti Juridik dhe Ekonomik, e këtu ka pas konsulta një koleg i Fakultetit Ekonomik dhe dy kolegë të Fakultetit Juridik, në momentin kur e kemi vërejte, unë kam shku dhe ia kam tërheqë verejtjen kolegut të Fakultetit Ekonomik dhe janë shpernda studentët, pjesa e Fakultetit Juridik nuk ka qenë kompetencë e jona, por me sa di unë, qysh e kam informatën ka intervenu edhe dekani i Fakultetit Juridik”, ka thënë Tmava për KALLXO.com.

22.01.2021

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.