Studentët pa maska në hapësirat e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore Foto: KALLXO.com

Studentët pa maska brenda disa fakulteteve në UP (FOTO)

Në hapësirat e Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës janë parë studentët pa maska mbrojtëse kundër COVID-19 dhe duke mos mbajtur distancë.

Edhe pse bartja e maskës mbrojtëse është obligative, monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur studentët të cilët nuk po i bartin ato.

Në kohën kur studentët janë kthyer nëpër fakultete për afatin e rregullt të provimeve, nëpër hapësirat e fakulteteve shihet një numër më i madh i studentëve në ndryshim nga koha kur ata ishin duke i mbajtur ligjëratat online.

Monitoruesit e KALLXO.com kanë vizituar disa fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të parë nga afër se sa janë duke u respektuar masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Më poshtë shihni disa studentë në hapësirat e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës duke mos mbajtur fare maska mbrojtëse.

Studentët pa maska në hapësirat e Fakultetit Ekonomik (02.02.2021) Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka marrë një përgjigje nga dekani i Fakulteti Juridik, Avni Puka në lidhje me mosmbajtjen e maskave nga studentët.

“Si Dekan kam themeluar një Task-forcë për mbikëqyrjen e zbatimit të masave kundër COVID-19”, ka thënë Avni Puka në një përgjigje për KALLXO.com.

Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik ndajnë të njëjtin objekt.

Në të njëjtën ditë, më 2 shkurt edhe në hapësirat e Fakulteti të Shkencave Matematiko-Natyrore është parë një grumbull i studentëve pa maska mbrojtëse kundër COVID-19.

Studentët pa maska në hapësirat e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore Foto: KALLXO.com

Dekani i FShMN-së, Idriz Vehapi ka thënë për KALLXO.com se nëse studentët nuk i vendosin maskat atyre i tërhiqet vërejtja.

“Ne deri tani nuk kemi pas asnjë rast të tillë. Është pyetja e parë që po ma bëni për këtë aspekt. Nëse studentët nuk i vendosin maskat ia tërheqim vërejtjen”, ka deklaruar Vehapi.

Më 2 shkurt, KALLXO.com ka monitoruar Fakultetin Filologjik, Fakultetin Filozofik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Shkencave Matemiko-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës.

Në objektet e këtyre fakulteteve janë të vendosur posterët informues për mbajtjen e maskës dhe pastrimin e duarve.

Gjithashtu dezinfektues ka pasur të vendosur në hyrje të fakulteteve dhe nëpër korridore.

Sapuni për pastrimin e duarve ka qenë i vendosur vetëm në Fakultetin Filozofik, në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik është vërenjtur mungesa e sapunit dhe letrës higjienike, ndërsa në Fakultetin Filologjik dhe FShMN tualetet kanë qenë të mbyllura, për shkak të mungesës së ujit.

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.