Studentët nuk pranojnë që Bangladeshi të qeveriset nga ushtria
Qytetarët e Bangladeshit janë në pritje të zhvillimeve të ardhshme, një ditë pasi kryeministrja Sheikh Hasina dha dorëheqje dhe u arratis nga vendi, raporton BBC.
Shefi i ushtrisë së Bangladeshit ka thënë se do të formohet një qeveri e përkohshme dhe ka marrë vendimin për zgjedhje të reja – megjithëse nuk janë ofruar më shumë hollësi.
Liderët e studentëve kanë thënë se nuk do të pranojnë një qeveri të udhëhequr nga ushtria. Ata po kërkojnë se laureati i çmimit “Nobel”, Muhammad Yunus, të jetë kryekëshilltar i qeverisë së përkohshme.
Ish-kryeministrja Hasina ka arritur në Indi, me spekulimet se ajo mund të fluturojë drejt Londrës. Një aeroplan që i përket forcës ajrore të Bangladeshit është ngritur nga një bazë ajrore ushtarake në Indi, ka raportuar agjencia indiane e lajmeve, ANI. Sipas raportit, që citoi burime të paidentifikuara, aeroplani C-130J u ngrit nga baza në orën nëntë sipas kohës lokale dhe po “lëvizte drejt destinacionit të tij të radhës”.
“Agjencitë induse të sigurisë po e monitorojnë nga afër”, shkruan ANI. Aeroplani më parë kishte fluturuar me Sheikh Hasinan drejt qytetin verior të Indisë, Ghaziabad.
Turma të mëdha njerëzish sulmuan dje rezidencën e Hasinas në Dakë dhe në kryeqytet ka pasur kaos dhe plaçkitje.
Së paku 20 persona janë vrarë të hënën, një ditë pas protestës së dhunshme që rezultoi me 90 të vdekur.
Protestat e fundjavës nisën në korrik me thirrjet për të hequr kuotat e shërbimit civil, por u zgjeruan me kërkesën për dorëheqjen e Hasinas pas pesëmbëdhjetë vjetësh në krye të pushtetit.
34 vjet pas kryengritjes të udhëhequr nga studentët më 1990, një tjetër lëvizje masive rrëzoi qeverinë, por ishte më e përgjakshmja në historinë e vendit. Kjo gjakderdhje do të mund të shmangej, por pushteti absolut i Hasinas që jo vetëm se ishte i korruptuar, i mbylli sytë karshi realitetit në vend, shkruan BBC. Dhe kur një lider shteti nuk e ka mbështetjen popullore, detyrohet të arratiset nga vendi, vlerëson mediumi britanik. Ky në të vërtetë ishte mesazhi që Hasina ia përçoi botës kur u bë liderja e parë e shtetit që arratiset nga Bangladeshi.
Ushtria ka bërë të ditur të hënën se institucionet shkollore dhe universitare do të hapen të martën. Megjithatë mbetet e paqartë se si do të fillojë përsëri mësimi.
Afsar Munna, student në Universitetin e Dakës i ka thënë BBC-së në gjuhën bengale se “autoritetet i kanë hapur sallat që dje, por asnjë aktivitet akademik nuk po zhvillohet”.
“Në fakt nuk ka asnjë autoritet tani”, ka thënë ai.
Edhe një tjetër student në Universitetin Jagannath ka shprehur shqetësime të njëjta, duke theksuar se kampusi është hapurm por ligjëratat nuk kanë filluar.
Tanveer Haseeb, student i Universitetit Jahangirnagar, ka shtuar se shumë studentë “kanë shkuar në shtëpi” dhe se do të duhet kohë derisa të rikthehen në kryeqytet.
Besohet se Rrjeti i Mësimdhënësve Universitarë, organizatë e mësimdhënësve të universiteteve të ndryshme të Bangladeshit, do të ketë një takim gjatë ditës për të vendosur për hapat e ardhshëm./BBC
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com