Foto: KALLXO.com

Studentët në Prizren u trajnuan për luftimin e dezinformatave e ndikimeve nga jashtë

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) kanë mbajtur një trajnim për studentët e rajonit të Prizrenit, i cili ka për qëllim luftimin e ndikimit në rritje të dezinformatave, ndikimeve të huaja si ruse dhe kineze dhe ato mbi baza fetare në Kosovë. Trajnimi u mbajt më 17.09.2024, nga ekspertë nga BIRN Kosova dhe QKSS dhe u fokusua në pajisjen e pjesëmarrësve me shkathtësi për të identifikuar dhe luftuar dezinformatat.

Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, hapi trajnimin duke diskutuar qëllimet strategjike të organizatave radikale fetare që përdorin dezinformimin si mjet për të minuar institucionet demokratike. Perteshi theksoi se këta aktorë shpesh synojnë audiencë të cenueshme duke përhapur narrativa të dizajnuara për të minuar besimin te sekularizmi, demokracia dhe shteti i së drejtës.

Pjesa e dytë e trajnimit, e udhëhequr nga Labinot Leposhtica nga BIRN Kosova, e zhvendosi fokusin në rolin e dezinformatave ruse dhe kineze në Kosovë. Leposhtica theksoi taktikat globale të dezinformimit të përdorura nga këta aktorë të huaj për destabilizim dhe për të ndikuar në opinionin publik. Ai prezantoi disa raste se si narrativat ruse dhe kineze kanë depërtuar në platformat mediatike në Kosovë.

Trajnimi është ndërtuar për të qenë më shumë se një diskutim teorik duke përfshirë pjesëmarrësit në mënyrë aktive në diskutim. Ata u inkurajuan të vënë në dyshim informacionin që marrin dhe i mësuar metoda për të verifikuar faktet dhe për të vërtetuar burimet.

Përveç luftimit të dezinformimit, trajnimi nënvizoi rëndësinë e promovimit të një media të lirë dhe të pavarur në Kosovë. Si Perteshi ashtu edhe Leposhtica theksuan nevojën për vigjilencë të vazhdueshme, veçanërisht pasi aktorët e huaj vazhdojnë të shfrytëzojnë platformat digjitale për të përhapur informacione të rreme.

Studentët kanë vlerësuar se nevoja për këto trajnime është e madhe për ta, pasi ata janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj dezinformatave nëpër kanale të ndryshme mediatike. Trajnime të tilla ndihmojnë në pajisjen e tyre me aftësitë për të analizuar në mënyrë kritike informacionin, për të identifikuar narrativat e rreme dhe për të kuptuar strategjitë e përdorura nga aktorët e huaj dhe radikalë për të manipuluar opinionin publik.

Ky trajnim u mbajt nga BIRN Kosova dhe QKSS në kuadër të projektit “Rritja e vetëdijes publike për ndikimin rus, kinez dhe dezinformimin fetar dhe pajisja e studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve me shkathtësitë e nevojshme për të identifikuar, analizuar dhe luftuar dezinformatat”, i mbështetur përmes Programit të Aktivizmit Digjital nga TechSoup Global.