Studentët kritikojnë Universitetin e Prishtinës në 50 vjetorin e themelimit

Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë, Veprim ka kritikuar Universitetin e Prishtinës në 50 vjetorin e themelimit.

Me anë të disa pankartave ata kanë dalë para rektoratit dhe kanë kërkuar veting në arsimin e lartë, literaturë të mirëfilltë, pasurim të bibliotekave, fonde për hulumtime shkencore, bursa dinjitoze për studentët, sistem anti-plagjiaturë dhe Kampus Universitar në shërbim të studentëve.

“Sot shënojmë 50 vjetorin e Universitetit të Prishtinës, duke e kujtuar si hapin më progresist për popullin shqiptar drejtë një rrugëtimi të pazakont ku përgjatë ngritjes së dijes profesionale pati një ndikim edhe më të rëndësisishëm. Universiteti drejtëpërsëdrejti po fillonte ndikimin në zhvillimin dhe artikulimin e kërkesave themelore për liri, barazi dhe pavarësi të popullit”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje.

Ata tutje thanë edhe se përveç kapjes së shtetit, klane të ndryshme kapën në grusht edhe Universitetin e Prishtinës.

“20 vite të pasluftës përbëjnë një përmbysje të të gjithë përpjekjes së drejtë e të sinqert të gjeneratave të tëra për të mbrojtë Universitetin. Republikës në bërje po i zihej fryma, e njashtu edhe Unviersitetit. Klane të ndryshme të pushtetit vënë në grusht si çdo institucion tjetër edhe atë që do të duhej të ishte më autonom nga të gjithë të tjerët. Universitetin publik. Universitetin e Prishtinës. Gjithandej fakulteteve, katedrave, departamenteve të veçanta po vëheshin në personelin e tyre njerëz servil shërbyes të pushtetit. Pa dije, pa vullnet, me arrogancë”, thuhet tutje në njoftim.

Ata përmendën edhe disa nga të metat e Universitetit të Prishtinës.

“U prodhuan shumë diploma, u shitën shumë të tilla, u abuzua me fonde, me studentët, e me Universitetin në përgjithësi. Sikur kjo të mos iu mjaftonte ai u nda në 5 sosh. E tëra kjo ndodhi për të vënë edhe më tej në kontrollë universitetet publike, sipas klaneve e interesave të caktuara. Të gjitha këto nuk shpëtuan pa u vërjetur”, shtuan ata.

Sipas tyre ide të ndryshme duhet të shëndrrohen në kërkesa për përmirësimin e UP-së.

“Përpjekja për bërjen e Universitetit nuk mbaron. Ide të shumta duhet të shndërrohen në kërkesa, për të përmirësuar denjësisht dhe cilësisht sistemin universitar. Universiteti nuk ka kuptim pa studentët dhe studentët do të jenë përherë në përpjekje për t’u organizuar dhe për ta bërë Universitetin, për ta bërë një shoqëri më të emacipuar, si kushti i domosdoshëm i tij”, thuhet në fund ë njoftimit të Lëvizjes për barazi.