Studentët kërkojnë largimin e Kishës nga Kampusi ose shndërrimin e saj në muze

Përmes parullave “Objekt i mëkateve”, “Jo trashëgiminë e kriminelëve”, “Stop nxitjes së urrejtjes”, fotografi të gjenocidit gjatë luftës dhe të figurave serbe që kryen krime në Kosovë, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë protestuar para Kishës Ortodokse serbe në Kampusin e UP-së.

Në emër të studentëve, kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Erëblin Hoxha kërkoi veprime nga instuticionet e Kosovës për ndalimin e provokimeve brenda oborrit të Universitetit.

“Kërkojmë nga institucionet që ia të largojnë objektin nga Kapmusi, ia ta shëndrrojnë në muze që do të shpërfaq dhunën dhe gjenocidin ndaj popullsisë kosovare”, tha Hoxha.

Hoxha tha se studentët e kundërshtojnë edhe objektin edhe liturgjinë e djeshme dhe se ky provokim erdhi në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në prag të Ditës së Çlirimit.

Protesta është organizuar pasi dje klerikë të Kishës Ortodokse Serbe kanë mbajtur liturgji fetare në objektin e papërfunduar të kishës, e cila ndodhet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

E fundit herë, sipas tyre, ka qenë liturgjia e mbajtur më 1998, ndonëse nuk kanë treguar kohën e saktë të mbajtjes së saj.

Ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës. Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës Ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Objekti i nisur për Kishë Ortodokse në hapësirat e UP-së, kishte filluar në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, e në gurthemelin e saj, ishte bërë publike se kishin marrë pjesë edhe njerëz me të kaluar të rëndë kriminale, siç ishte edhe Zheljko Razhnatoviç i njohur si Arkani. Ky objekt, përkundër që kishte nisur ndërtimin me 1992, nuk kishte arritur të përfundohej asnjëherë.