Foto: KALLXO.com

Studentët e koreografisë protestojnë para Ministrisë së Kulturës – Pamje

Studentë të Degës së Koreografisë të Kolegjit privat – AAB, kanë protestuar sot para Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit kundër deklaratave të ministrit Hajrulla Çeku, i cili ditë më parë deklaroi se në vend ka mungesë të kuadrove të koreografisë.

Me thirrjet “Shkollimi i vlen” dhe performanca koreografike koreografët e ardhshëm, thuhet se ia kanë bërë me dije ministrit  se në vend ka shkolla të arsimit të lartë për koreografi.

Përmes performancave studentët e koreografisë ka kanë kërkuar nga institucionet qe të njohin shkollimin e tyre.

Javë më parë ministri Çeku pati deklaruar në një televizion vendor, se në Kosovë ka mungesë të koreografëve.

Koreografi Dritan Saqipi, profesor i baleti në shkollë e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se protesta organizohet për të kundërshtuar deklaratën e ministrit Çeku se në vend nuk ka mjaftueshëm kuadro të fushës së koreografisë.

“Deklarata e ministrit është njëra ndër deklaratat më skandaloze në 20 vitet e fundi drejtuar dancit dhe koreografisë në Kosovë, i cili e mohon drejtimet e koreografisë dhe baletit”, ka thënë Saqipi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste.

Saqipi ka thënë se nuk e ka pritur një deklaratë të tillë nga Çeku, pasi vetë ministri vjen nga skena e pavarur në Kosovë.