Studentët e Fakultetit të Edukimit nga nesër bojkotojnë mësimin

Këshilli Studentor i Fakultetit të Edukimit ka njoftuar se që nga nesër do ta bojkotojnë mësimin, për shkak të mos përfshirjes së tyre nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në konkursin për bursa për vitin akademik 2019/20.

Përmes një njoftimi në Facebook ata kanë thënë se këtë vendim e kanë marrë në koordinim me kryetarët e grupeve të studentëve nga të gjitha departamentet e Fakultetit.

“Ne si Këshill Studentor i FE duke parë rrjedhën e ngjarjeve të cilat po i dëmtojnë studentët tonë më meritor duke i anashkaluar nga bursa kemi vendosur që të drejtat e studentëve ti mbrojmë me çdo kusht deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kështu ne në koordinim me kryetarët e grupeve të studentëve nga të gjitha departmentet e FE (programet Bachelor dhe Master) kemi marrë vendim që nesër me datën: 07.11.2019 nga ora 10:00 ta bojkotojmë mësimin”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me cështjen e konkursit për bursa të MAShT, që nga dita e hënë ka pasur protesta të studentëve të Fakultetit të Arteve, Edukimit e Shkencave Sportive, ku kanë shfaqur mospajtimet për mos përfshirjen e tyre në këto bursa.

Ata madje kanë zhvilluar një takim me ministrin Shyqiri Bytyqi, por se nuk kanë arritur marrëveshje.

 

S’arrihet marrëveshje mes MAShT dhe studentëve për bursat

 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e ka marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhet se kjo është marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen. Konkursi është hapur me 28 tetor deri më 8 nëntor në ora 16:00.Në lidhje me këtë vendim, protestë kanë paralajmëruar edhe studentët e Fakultetit të Edukimit ditën e nesërme (05.11.2019).

Kurse, MAShT e ka sqaruar se këtë vendim e ka marrë për t’i mbushur nevojat e tregut të punës.