Studentët e Fakultetit të Edukimit do t’i zëvendësojnë 400 mësimdhënëse shtatzëna

Studentët e Fakultetit të Edukimit do t’i zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë që janë 400 mësimdhënëse shtatzëna që do të zëvendësohen.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe apsolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje  të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Sipas njoftimit të ministres, listat me studentët që do të zhvillojnë procesin mësimor u janë përcjellë DKA-ve.

“Të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellur në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja”, ka theksuar ajo.

Tutje ministrja Nagavci ka thënë se ky angazhim studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale.

“Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë”, ka theksuar ajo.