Studentët e Fakultetit të Arteve kundërshtojnë konkursin për bursa

Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po e kundërshtojnë vendimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për ndarjen e bursave për disa fusha të studimit të UP-së.

Në shenjë pakënaqësie ata kanë protestuar para këtij institucioni, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi.

Në emër të studentëve foli, Edison Bibaj, kryetar i Këshillit Studentor i Fakultetit të Arteve. Ai tha se vendimi i MAShT-it për bursa duhet të rishqyrtohet ose të anulohet.

“Thirrja jonë është që ky vendim duhet të rishqyrtohet, duhet të ndërrohet dhe se pranojmë në asnjë mënyrë. I vetmi kompromis prej neve është që ky vendim të anulohet, në asnjë mënyrë nuk do t’i pranojmë që ky vendim të shkojë”, tha Bibaj.

Ai ka shtuar se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre do të vazhdojnë me bojkotimin e ligjëratave.

“Kjo është protestë që paralajmëron se nga nesër do të vazhdojmë edhe me bojkotimin e mësimit deri në rishqyrtimin e vendimit për bursa. Ne do t’i bllokojmë njësitë akademike dhe nuk do të mbajmë ligjërata qoftë edhe një vit. Ky është vendim i pa kompromis i yni”, thotë Bibaj.

Pas kësaj proteste para mediave foli, u. d. i drejtorit në arsimin e lartë në MASHT, Burim Gashi, i cili tregoi se si ka ardhur deri tek ky vendim për bursa.

“Në këtë vit akademik 2019/20 ministri ka marrë vendim që t’i përkrahë studentët elita, në programet si në bujqësi si ekzakte duke i eleminuar tri programe atë të Arteve, Edukimit dhe atë Edukatëa Fizike. Arsyja pse ministri e ka marrë këtë vendim është për shkak të mungesës të tregut të punës, atë se çka sheh ministria si prioritet për tregun e punës, Kjo është politik e MAShT se si e sheh”, tha Gashi.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e ka marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhet se kjo është marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen.

Konkursi është hapur me 28 tetor deri më 8 nëntor në ora 16:00.

Në lidhje me këtë vendim, protestë kanë paralajmëruar edhe studentët e Fakultetit të Edukimit ditën e nesërme (05.11.2019).