Stresi dorëzohet në Polici
Këngëtari nga Shqipëria Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është dorëzuar sot në Policinë e Kosovës, saktë në objektet e drejtorisë rajonale në Pejë.
Stresi ishte shpallur në kërkim nga Policia më 06.08.2024 si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor.
Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Rreth orës 09:00 në objektet e Policisë është dorëzuar Arkimed Lushaj, i cili para disa muajve ishte shpallur në kërkim” – tha Rugova.
Tutje ai shtoi se Lushaj aktualisht është duke u intervistuar dhe pas intervistimit do të vazhdohet me procedura të tjera.
Policia e Kosovës kishte kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të lokalizuar edhe këngëtarin tjetër nga Shqipëria, Rigels Rajkun, i njohur si Noizy, si dhe Bahtjar Bajraktarin, shtetas i Kosovës, të dyshuar për veprën penale – lëndim i rëndë trupor.
Më pas, Policia shqiptare më 07.08.2024 kishte arrestuar në Shqipëri Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktarin.
Reperi nga Shqipëria Noizy kishte reaguar më 06.08.2024, duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero” – tha Noizy në reagimin e tij.
Ai tutje shtoi se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë të cilën pretendon që është duke u bërë ndaj tij.
“Dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë” – tha reperi.
Ai tutje shtoi se bashkë me studio të avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.
Krejt në fund ai shtoi se është viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin.