Strehimoret e dhunës në familje po mbijetojnë gjatë kohës së pandemisë

Ndërkohë që masa e bllokadës në Kosovë pas shpërthimit të koronavirusit po futet në javën e tretë, strehimoret për të mbijetuarit e dhunës në familje po bëjnë gjithçka që munden për të vazhduar me ofrimin e mbështetjes për gratë dhe fëmijët, shtëpitë e të cilave cilësohen si të pasigurta.

Edhe në rrethana normale, strehimoret e dhunës në familje të Kosovës e kanë të vështirë të mbështesin gratë dhe fëmijët që i shpëtojnë dhunës, mirëpo masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, tani në fuqi për më shumë se dy javë, i kanë ndërlikuar cështjet edhe më shumë.

Sipas Erza Kurtit, eksperte për dhunën me bazë gjinore nga OJQ-ja e Rrjetit të Grave të Kosovës, edhe përkundër vështirësive me të cilat përballen, të shtatë strehimoret që veprojnë aktualisht në Kosovë janë ende të hapura dhe mirëpresin banorët e rinj.

“Shumica e strehimoreve janë të gatshme të marrin më shumë njerëz që vuajnë nga dhuna në familje këto ditë,” tha Kurti për Prishtina Insight. “Tani për tani, situata është e menaxhueshme.”

Sidoqoftë, ofrimi i shërbimeve themelore sociale për strehimoret raportohet të jetë më i vogël gjatë bllokades aktuale. Sipas Erzës, personeli nga Qendrat Komunale për Punë Sociale po refuzojnë të hyjnë në strehimore nga frika se mos infektohen.

Aktivistja e RrGK gjithashtu thotë se Qendrat kanë reduktuar numrin e personelit të tyre gjatë bllokades, me pothuajse të gjithë punonjësit duker punuar nga shtëpia.

Kjo do të thotë që shumë pak punonjës socialë janë në listen e thirrjeve dhe janë të disponueshëm për të adresuar rastet e raportuara të dhunës në familje – një problem i rëndësishëm kur duhet reaguar për çështjet ku përfshihen fëmijët, pasi Policia e Kosovës nuk mund të intervistojë persona nën moshën 18 vjeçare pa prezencën e një zyrtari nga Qendra për Punë Sociale.

Prishtina Insight ka tentuar të kontaktojë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Divizionit për Familje dhe Politikë Sociale në Ministrinë e Punës, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e qendrave komunale, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.

Personeli në strehimore po bën atë që është e mundur që të qëndrojë operacional, me punëtorë të rinj që ngarkohen me ndërrime shtesë për të mbrojtur kolegët e tyre më të vjetër të cilëve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi.

Me burime të mangëta në mbarë vendin, personeli i strehimoreve po bën vetë maskat e tyre dezinfektuese dhe mbrojtëse, por drejtorët e strehimoreve paralajmërojnë se kjo situatë nuk mund të qëndrojë edhe për shumë gjatë.

“Nëse situata vazhdon, ata do të kenë nevojë për më shumë maska, doreza, dezinfektues, shtretër dhe ngrohës”, deklaroi Erza Kurti për Prishtina Insight. “Përveç kësaj, një sfidë e re është se ata kanë nevojë për psikologë profesionistë për t’u marrë me krejt atë stres që mund të shfaqet nga pandemia”.

Rritje në mbarë botën

Raportet nga zonat në mbarë botën që janë përballur me pandeminë më gjatë se Evropa kontinentale kanë bërë të qartë se rastet e dhunës në familje ka shumë të ngjarë të rriten brenda kontekstit të pandemisë koronavirus.

Qeveria Franceze raportoi se rastet e dhunës në familje ishin rritur për 30 përqind që nga fillimi i bllokadës atje me 17 Mars, me aktivistë në të gjithë botën duke parashikuar një rritje alarmante të shifrave ndërkohë që  kufizimet mbi liritë individuale vazhdojnë së ekzistuari.

Sipas Mirishahe Sylës, zyrtare gjinore nga Qendra për Shërbime Sociale, Këshillim dhe Kërkim, një tendencë e ngjashme ka të ngjarë të ndodhë edhe në Kosovë.

“Në Kosovë, në pjesën më të madhe, dhuna ndaj grave ndodh në vendin ku ato duhet të ndihen më të sigurta, në shtëpi,” deklaroi Mirishahe Syla për Prishtina Insight. “Izolimi zvogëlon mundësitë që gratë të kërkojnë ndihmë jashtë shtëpisë ose familjes së tyre. Edhe nëse do të mund të shkonin te prindërit e tyre ose te një mik apo mikeshë, frika e përhapjes së koronavirusit nuk i lejon ato të lëvizin lirshëm. “

Sipas Policisë së Kosovës, në janar dhe shkurt të vitit 2020, në Kosovë janë raportuar 311 raste të dhunës në familje. Sidoqoftë, kur Prishtina Insight kërkoi të dhënat edhe për muajin Mars, përgjigjia e Policisë së Kosovës ishte se askush nga stafi punonjës nuk ishte në gjendje të jepte informacionin për shkak të bllokadës.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka raportuar që strehimoret e dhunës në familje kanë pranuar gjashtë ardhje të reja pasi që janë aprovuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit – nuk ka pasur ndonjë rritje apo ulje të ndjeshme në krahasim me numrin standard.

Sidoqoftë, Erza Kurti thotë se kjo mund të ndodhë sepse situatat pandemike mund të rezultojnë në ndërprerjen e më shumë ndihmave  për gratë. “Distanca sociale dhe vetë-karantina mund të manipulohen për të izoluar viktimat nga familjet e tyre dhe rrjetet sociale, si pjesë e dhunës emocionale dhe psikologjike dhe sjelljes kontrolluese nga autorët e krimit,” tha ajo.

Linja telefonike për Ndihmë Viktimave, e cila ofron këshilla dhe mbështetje ligjore 24-orëshe për viktimat e dhunës në familje, gjithashtu nuk ka parë një rritje të telefonatave, duke raportuar se asnjë person i vetëm nuk ka bërë ndonjë thirrje përmes kësaj linje ndihmëse.

Sipas Mirishahe Sylës, edhe kjo nuk është dicka befasuese. “Qasja përmes telefonit apo mjeteve të tjera të komunikimit mund të jetë e kufizuar në këto kohë izolimi, ku kontrolli nga partnerët abuzivë mund të jetë shumë më i madh,” shpjegoi ajo.

Vitin e kaluar pati një rritje të dukshme të numrit të rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici. Policia e Kosovës ka regjistruar 1,915 raste të raportuara vetëm në vitin 2019, një rritje gati për 40 përqind e numrit mesatar të raporteve vjetore të regjistruara ndërmjet viteve 2002 dhe 2017, që qëndronte në 1.152 raste.

Efektet që mund të ketë bllokada në nivelin e raportimit të dhunës në familje nuk mund të dihen ende. Sidoqoftë, pasi bllokada filloi më shumë se dy javë më parë, BIRN ka raportuar 11 raste në të cilat Policia e Kosovës ka arrestuar individë pas një thirrjeje në polici për të raportuar dhunën në familje.

Megjithëse të dhënat zyrtare nga policia ka të ngjarë të mos jenë të disponueshme derisa pandemia të arrijë epilogun e saj, kjo do të shënonte një rënie befasuese të numrit të rasteve që raportohen.

Sa më i madh rreziku, aq më e vogël mbështetja 

Izolimi nuk është i vetmi faktor rëndues i shkaktuar nga kriza që mund të çojë në një rritje të dhunës. Mirishahe Syla beson se barra financiare si rezultat i pandemisë do të jetë gjithashtu një faktor acarues.

“Në kohë krizash si kjo, ne gjithashtu duhet të marrim parasysh përkeqësimin e mundshëm të të ardhurave ekonomike që mund të shkaktojnë shqetësime të mëtejshme,” tha ajo. “Mundësia që burrat të reagojnë dhunshëm në rrethana të tilla është i lartë, veçanërisht duke marrë parasysh që dhuna në familje normalizohet dhe pranohet nga shoqëria kosovare në përgjithësi si “një sjellje për zgjidhjen e problemeve” dhe veçanërisht nga burrat si rezultat i rregullave të imponuara gjinore që lidhen me burrërinë. “

Në një studim të vitit 2015 të bërë nga Rrjeti i Grave të Kosovës, RrGK, 58 përqind e grave dhe 47 përqind e burrave të anketuar ishin të pajtimit me deklaratën se “nëse burri është i papunë, dhuna është e destinuar të ndodhë ndonjëherë.”

Sondazhi gjithashtu kritikoi reagimet institucionale ndaj dhunës në familje, duke thënë se, megjithë përmirësimet që nga viti 2008, një temë që flitej shpesh në mesin e njerëzve nga RrGK ishte se “shteti nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për gratë që raportojnë dhunën.”

Është një situatë për të cilën Mirishahe Syla shqetësohet se mund të përkeqësohet si rezultat i pandemisë. “Dhuna ndaj grave në familje nuk merr vëmendjen e duhur nga forcat e sigurisë edhe në rrethana të mira, dhe kur diçka si pandemia i shtohet kësaj, shanset që zëri i grave të dëgjohet janë edhe më të vogla,” tha ajo.

FOTO- Atdhe Mulla

Strehimoret e dhunës në familje kanë dhënë rekomandime për Policinë e Kosovës gjatë pandemisë, duke kërkuar që autorët e dyshuar të nxirren nga shtëpitë e tyre në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të mund të mbeten në izolim.

“Ne e dimë se është shumë e vështirë të punosh në këtë situatë, por institucionet duhet të gjejnë një mënyrë për të bërë punën e tyre siç duhet,” tha Erza. “strehimoret rekomandojnë që policia të dërgojë autorët me krimit në burg në vend se ta nxjerrë viktimën nga shtëpia gjatë situatës pandemike.”

Ndërkohë që ekspertët e dhunës në familje po e vënë në pah këtë qasje gjatë periudhës së izolimit në Kosovë, kjo është në të vërtetë një politikë të cilën ata janë përpjekur ta zbatojnë me vite, sipas një raporti të monitorimit të policisë së RrGK-së për vitin 2018.

“Pasi të ketë ndodhur dhuna, policia prapë priren ti nxjerrin viktimat nga lagjet e zakonshme të jetesës, duke e lënë burrin ose dhunuesin në shtëpi,” thuhet në raport. “Në një rast të mbikqyrjes nga monitoruesit, policia e ndaloi një viktimë në stacionin policor për 48 orë, ndërsa autori i krimit u dërgua në shtëpi. Nëse është kryer një krim atëherë policia duhet ta ndalojë autorin e krimit dhe jo viktimën. “

Shqetësimet buxhetore

Në katër vitet e fundit, të gjitha strehimoret e dhunës në familje janë mbyllur në dy raste të veçanta si rezultat i financimit të dyshimtë.

Për shumë vite, strehimoret drejtoheshin me grante të administruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, krahas financimit privat. Por në vitin 2019, financimi i strehimoreve u përfshi në buxhetin e shtetit.

Megjithatë, sipas Mirishahe Syles, strehimoret vazhdojnë të jenë në një situatë të pasigurt financiare duke rrezikuar mbylljen e tyre. Ndërsa Buxheti i Kosovës për vitin 2019 aprovoi një linjë të veçantë, duke ndarë 60,000 euro për secilën strehimore të dhunës në familje, asnjëra prej strehimoreve nuk e ka marrë shumën e plotë të fondeve të përcaktuara në buxhetin për atë vit.

“Megjithëse kjo linjë buxheti u aprovua nga Kuvendi i Kosovës, e njëjta linjë nuk u implementua nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,” shpjegoi Mirishahja, duke shtuar se strehimoret ende duhej të aplikonin për mbështetje shtesë financiare vitin e kaluar si rezultat i kësaj.

Ligji për Buxhetin i vitit 2020, i cili u miratua më 2 shkurt, përcakton se 880,000 euro janë ndarë për të financuar të gjitha strehimoret në Kosovë, jo vetëm ato që janë në mbështetje të njerëzve që largohen si pasojë e dhunës në familje, ku secila strehimore e dhunës në familje parashikohet të përfitojë 80,000 euro.

Kjo është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Kosovës për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje 2016-2020, e cila i kërkoi ministrisë të krijojë një buxhet të përhershëm për strehimore deri në vitin 2020, i cili do të ishte i mjaftueshëm për ti mbuluar kostot themelore pa ndonjë nevojë për financim privat.

Këmbëngulës për të vazhduar tutje

Mes sfidave operacionale me të cilat përballen, strehimoret po përpiqen gjithashtu të përshtaten edhe me ragimin ndaj epidemisë për të garantuar sigurinë e banorëve të tyre.

Të gjitha strehimoret kanë kapacitete për ti testuar të porsaardhurit për COVID-19 me të arritur në strehimore, dhe ndërsa qasja në shërbime ligjore dhe mbështetja psikologjike nuk janë në dispozicion, drejtorët e strehimoreve po përpiqen t’u sigurojnë atyre një lloj izolimi me një dozë normaliteti në një situatë anormale.

“Banorët e strehimoreve vazhdojnë ti kryejnë të gjitha aktivitetet normale që ata mund ti bëjnë brenda strehimores, aq sa është e mundur në këtë situatë,” tha Erza Kurti. “Tani më shumë se kurrë, ne duhet të kujdesemi për individët më të cenueshëm në shoqërinë tonë.”