Dhuna në familje - Foto: REL/Shutterstock

Streha e (pa) sigurt e grave që u rrahën e u dëbuan nga shtëpitë e tyre

Nën kërcënimin e dhunës fizike dhe ekonomike, shumë gra në Kosovë detyrohen të kërkojnë ndihmë nëpër strehimore. Megjithatë mungesa e stabilitetit financiar të strehimoreve që funksionojnë si Organizata Jo Qeveritare po mban në ankth viktimat dhe ata që po mundohen t’u ndihmojnë.

Në anën tjetër, organizata jo-qeveritare konsiderojnë se trajtimi i rasteve të dhunës në familje nuk po bëhet si duhet nga organet e drejtësisë, derisa statistikat tregojnë se numri i rasteve të dhunës në familje po shënon rritje çdo vit.

Diku në një fshat të Dragashit, Magbulja* një grua në moshë të mesme u rrah e më pas edhe  u dëbua nga shtëpia nga burri dhe fëmijët e tij. 

Ajo thotë se dhunën e përjetoi nga disa anëtarë të familjes.

“Lërë nuset dhe djemtë që më kanë rrah, por edhe fëmijët i kanë shti mem rrah”, tregon 54 vjeçarja e cila po qëndronte në një nga strehimoret e grave që kanë përjetuar dhunë në familje.

Magbulja kishte lajmëruar edhe rastin në polici ndërsa thotë se e kishte menduar edhe vetëvrasjen.

“Njëherë e lash të mendohem e t’i marr këshillat e Policisë çka po më thonë dhe të mendohem a të kthehem në dhunë apo të bëj vetëvrasje. Te Ura e Fshajt që shkon në Gjakovë atje e kam mendu me qenë shpija jem e fundit, sepse s’kam pas ku të shkoj”, rrëfen ajo.

Ajo ishte dëbuar nga shtëpia pas 17 vitesh martesë.

“Rrahje kam pasur jashtë mase, po të gjitha i kam përballu, e atë ditë kur më kanë dëbu nuk kam mujt me përballu më”, tregon ajo.

Shtëpia e sigurtë në Prizren momentalisht po strehon shtatë gra të cilat kanë përjetuar dhunë fizike e psikologjike nga bashkëshortët e tyre.

Sipas Drejtoreshës së Strehimores në Prizren, Jubilea Kabashi, ka pasur raste kur është thyer rregullorja e gratë kanë qëndruar e janë trajtuar aty më shumë se një vit.

“Sipas rregullores aty gratë i mbajmë 3 muaj deri 6 muaj por kemi pasur rast që ka qëndru 14 muaj deri sa tani në janar njëra nga gratë ka qenë përfituese e një banese e cila është ndërtuar për bamirësi”, thotë Kabashi për KALLXO.com, deri sa shpjegon edhe se ka raste kur gratë që kanë probleme psikologjike nuk arrijnë të trajtohen mjaftueshëm brenda strehimores.  

Mungesa e përkrahjes financiare është njëra nga problemet kryesore të strehimoreve për t’i mbështetur gratë që qëndrojnë aty.

“Komunat duhet me përkrah ma shumë me rrit buxhetin e përkrahjes”, thotë Kabashi.

Kujtojë se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2020 ka ndarë 105 mijë euro për strehimoret në vend.

Rina* një grua tjetër nënë e dy fëmijëve tregon se pas dhunës fizike që kishtë përjetuar nga ish-bashkëshortii, ai i kishte kërkuar që të largohet nga shtëpia pa fëmijët.

“Pas lindjes, pas disa muajve më larguan nga shtëpia ndërsa ishin mbledhur burrat e më kthyen përsëri te shpia e ish- burrit. Më ka thënë dil nga shtëpia e lej fëmijët, e unë si kam lanë e aty pastaj ka fillu mem rre m’ka lanë në tokë pa vetëdije”, rrëfen ajo.

Ajo shpjegon se pas një kohe është detyruar të largohet nga shtëpia për shkak të dhunës dhe është drejtuar për në qendër sociale për të kërkuar ndihmë.

“Kanë tentu me më kthy prapë te ish- burri por nuk kam pranu se e kam ditë që prapë ka me pas dhunë dhe unë nuk kam mujt ma me duru. Vendosa me shku në Austri e atje ma kanë dhanë lejen për me qëndru dy vjet por burri më ka akuzu që i kam vjedh fmijtë e pastaj autoritetet atje (në Austri) më kanë kthy në Kosovë”, tregon Rina*.

Ajo sot ende përballet me procese gjyqësore pasi ka paditur ish- burrin e saj për dhunën që kishte ushtruar ndaj saj ndërsa shton se po qëndron te familja e saj në vendlindje.

Duke bërë krahasimet për katër vitet e fundit, numri i rasteve të dhunës fizike është rritur çdo vit.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë që në vitin 2018 janë evidentuar 1 mijë e 541 raste të dhunës në familje, në vitin 2019 1 mijë e 915 raste, pra 374 raste më shumë, në vitin 2020 janë evidentuar 105 raste më shumë se ai paraprak ndërsa në vitin 2021 vetëm në periudhën janar dhe deri në mes të muajit shkurt janë evidentuar 165 raste.

Jo rrallë herë, të përfshirë në rastet e dhunës në familje dalin të jenë edhe zyrtarë policorë.

KALLXO.com ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës të dijë për rastet të cilat janë hetuar e ku kanë qenë të përfshirë zyrtarët policor në rastet e dhunës në familje.

Në vitin 2019, IPK ka trajtuar 11 raste ku të përfshirë në dhunë në familje kanë qenë zyrtarët policor ndërsa në vitin 2020 kanë trajtuar nëntë raste.

Problemet sistematike të trajtimit të rasteve të dhunë në familje

Magbulja* e Rina* janë vetëm dy prej shumë grave të cilat janë rrahur e ketrajtuar si fizikisht ashtu edhe psikikisht nga ish- bashkëshortët e tyre.

Vrasja e grave ka qenë shumë herë temë e cila ka ngritur zërin e shumë qytetarëve në protesta e aktivitete të ndryshme të organizatave të shumta që veprojnë në Kosovë.

Thirrjet “Drejtësia për gratë e vrara”, “Vrasja e grave është politike”, “Gjykatë është vrasje jo lëndim i rëndë trupor”, zunë vend para Gjykatës në Prizren në fillim të këtij muaji.

Qytetarë e aktivistë ishin mbledhur para Gjykatës Themelore të Prizrenit, duke kundërshtuar dënimin me 15 vite burgim për Ilir Haxhiajn, i akuzuar se në vitin 2019 se rrahu  për asfalti bashkëshorten e tij, Hatije Dinën e cila vdiq më vonë pas lëndimeve të marra.

Vdekja e Hatije Dinës nga dhuna e ushtruar nga bashkëshorti nuk është i vetmi rast i regjistruar në Kosovë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në disa përgjigje për KALLXO.com tregojnë se rastet kur është bërë ndonjë e padrejtë për gratë, përmes aksioneve kanë vendosur që të ngriten kundër padrejtësive.

“E konsiderojmë primare studimin e çështjeve gjinore, anës teorike dhe faktorëve që ndikojnë në shtypjen e grave në përgjithësi dhe specifikisht për dhunën që ato përjetojnë, mirëpo gjithashtu konsiderojmë si shumë të rëndësishme punën që bëhet nga organizatat joqeveritare në bërjen e presionit institucioneve për rregullimin e mekanizmave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetëve të grave”, thuhet në përgjigjet e kolektivit për KALLXO.com.

Kjo organizatë sheh ngritje të rasteve ku gratë janë viktima të dhunës në familje.

“Rastet e shtuara bëhen më drastike kur krahasojmë këto të vitit 2020 me ato të vitit 2019. Gjithsej gjatë vitit 2020, prej muajit janar deri në muajin korrik ka pasur 1185 raste të raportuara të dhunës në familje, për dallim nga viti 2019 ku ka pasur gjithsej 1014 prej muajit janar deri në korrik”, thonë tutje kolektivi.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, thonë se rastet e dhunës në familje nuk trajtohen në mënyrë të duhur në Kosovë.

“Kemi dhjetëra raste ku pas raportimit në polici për dhune në familje këto gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre. Në këtë rast sistemi ynë ka dështuar të iu ofrojë mbrojtje”, shpjegojnë tutje ata.

Dështim në sistemin e drejtësisë KMVF sheh edhe në dënimet që jepen për të akuzuarit në rastet e vrasjeve të grave.

“Po ashtu dënimet jo meritore për vrasjet e grave bëjnë që të humbet besimi në sistemin tonë të drejtësisë. Si në rastin e fundit në Prizren ku gjykata vrasjen e Hatije Dinës e cilëson si lëndim i rëndë trupor dhe jep dënimin minimal për vrasësin. Diana Kastrati, Valbona Ndrecaj e shume gra të tjera, të cilat pas raportimeve janë vrarë nga dhunuesit e tyre e dëshmojnë faktin se sistemi ynë ka dështuar të mbrojë gratë e dhunuara”, shton tutje KMVF.

Tutje KMVF thonë se protestat, apelet, aktivitetet simbolike kanë ndihmuar që rastet e dënimeve minimale për të dyshuarit kryesor për vrasjet e grave të shqyrtohen dhe dënimet të rriten.

“Nuk do duhej që vetëm të protestojmë që dhunuesit me marrë dënimin e merituar”, porosisin ata.

 Emrat me simbolin * janë vendosur nga redaksia për të mbrojtur identitetin e personave të përmendur në artikull

 

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).