Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

Strategjia e PDK-së, për parandalimin e ikjes së mjekëve

Një nga sfidat me të cilën po ballafaqohet aktualisht Sistemi Shëndetësor në Kosovë është ikja e mjekëve në Perëndim, veçmas në Gjermani.

Kjo çështje u ngrit në emisionin “Debat Përnime”, më 22.01.2025, derisa kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë shpalosur planet në fushën e Shëndetësisë.

Lidhur më këtë, Pleurat Sejdiu, përkujtoi se rreth 600 mjekë në Kosovë janë të papunë si pasojë e mosofrimit të kushteve të punës.

Për zgjidhjen e kësaj problematike, ai thotë se PDK-ja, e ka planin sesi duhet vepruar.

“Çelësi është investimi në resurset njerëzore. Ne i kemi 600 mjekë pa punë. Dhe, ne e kemi bërë llogarinë dhe mënyrën e sistemimit të tyre. Jo mjeku më të jetë pa punë. Jo farmacisti të jetë pa punë. Jo stomatologu të bëhet mbiprodhim e të mbesë pa punë. PDK e sheh forcën në investim në resurse njerëzore, paralelisht në infrastrukturë.” – ka thënë Sejdiu.

170 mjekë që diplomojnë në Kosovë brenda vitit, 110 prej tyre, sipas tij, po ikin jashtë vendit pasi nuk po e gjejnë një vend pune.

Sejdiu u zotua se këta mjek do të punësohen qoftë si mjekë në Klinika, në Reparte rajonale, apo edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Gjithashtu, kandidati Sejdiu, përmendi kushtet që Gjermania po iu ofron këtyre mjekëve – duke iu mundësuar punën dhe shkollimin në të njëjtën kohë.

“Ata kur shkojnë në Gjermani, shkojnë si mjekë në Repart. Përgatiten për fazën e dytë të shkollimit specialistik, që është një fazë përgatitore, por njëkohësisht japin edhe shërbime në sistem.” – ka thënë Sejdiu.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë