Stoqet e Onkologjisë pa barin Herceptin, klinika thotë se do të furnizohen javën tjetër

Bari Trastuzumab i shitur nën brendin Herceptin nuk gjendet në stoqet e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

KALLXO.com ka pranuar ankesa nga disa pacientë, të cilët përdorin Trastuzumab, të cilët thanë se e kanë kërkuar këtë bari disa herë, por që përgjigja nga klinika ka qenë negative.

“Ne i kemi shpërndarë Herceptinat për këtë muaj dhe sasinë tjetër do ta marrim në fund të muajit. Herceptinat merren në javën e tretë të përdorimit. Këtë e marrin pacientët me kancer të gjirit dhe janë diku rreth 80 pacientë, por nuk e marrin të 80-tit menjëherë për shkak se kjo merret çdo tri javë. Herceptina është ekskluzivisht vetëm për pacientët me kancer të gjirit. Aktualisht nuk kemi në stok, por do të vijnë javën tjetër”- ka thënë për KALLXO.com drejtori i kësaj klinike, Arben Bislimi.

Trastuzumab është një ilaç kundër kancerit dhe njihet edhe me emra të tjerë si Herceptin, Herzuma dhe Ontruzant. Përdorimi i këtij bari trajton kancerin e hershëm të gjirit (Kur kanceri nuk është përhapur përtej gjirit ose nyjeve limfatike në sqetull në të njëjtën anë të trupit. Pra, kur kanceri nuk është përhapur në asnjë pjesë tjetër të trupit) si dhe për kancerin e kryqëzimit të gjirit, stomakut dhe gastro-ezofageal që është përhapur në një pjesë tjetër të trupit (kanceri i avancuar ose metastatik).