Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm që të intervenojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se KFOR-i është i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet paqja në Kosovë.

Stoltenberg tha që në këtë takim kanë diskutuar sfidat që kanë qenë në pjesën veriore të Kosovës javëve të fundit.

“Ne kemi folur për tensionet dhe e vlerësoj këtë mundësi sot për ta vazhduar diskutimin tonë. Gjersa situata është përmirësuar është përgjegjësi e palëve nga Beogradi dhe Prishtina të ndalojnë eskalimin prap, që të shmangin dhunën” – tha ai.

“Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR është i gatshëm që të intervenoj, do të marrim të gjitha masat që janë të nevojshëm siguruar lirinë dhe paqen për popullin e Kosovës” – theksoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se palët duhet të vazhdojnë me dialogun për të reduktuar tensionet.

“Dialogu është mënyra e vetme për të reduktuar tensionet në Kosovë. KFOR-i ka rol neutral, e garanton lirinë e lëvizjes. Ne e përkrahim dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kemi afro 4000 trupa, prezenca na ndihmon në stabilizimin dhe reduktimin e tensioneve për të parandaluar eskalimet”, tha ai.

Stoltenberg tha që janë të gatshëm të vazhdojnë partneritetin me Serbinë.

“NATO e vlerëson partnershipin me Serbinë dhe do të vazhdojmë të punojmë me vendin tuaj për të promovuar paqen dhe stabilitetin për Ballkanin Perëndimor” – tha ai.

Pas këtij takimi, Stoltenberg do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.